Kuvendi të enjten do të votojë për zgjedhjen e Kadriut dhe Kostadinovskit për gjykatës kushtetues

Maqedonia

Kuvendi të enjten do të votojë për zgjedhjen e Kadriut dhe Kostadinovskit për gjykatës kushtetues

Më: 9 janar 2018 Në ora: 16:39
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë të enjten pasdite në vazhdimin e ri të seancës së 27-të duhet të votojë për Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të dytë, si dhe për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës kushteteuse të RM-së, pasi në seancën e sotme nuk ka pasur kuorum për votim.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi në seancë konstatoi se ka përfunduar debati i përgjithshëm për ligjin dhe për zgjedhjen e gjykatësve, si dhe se nuk ka kuorum, pas çka paralajmëroi votim të enjten në ora 12.

Dhoma ligjdhënëse duhet të votojë për propozimet që Osman Kadriu dhe Darko Kostadinovski të zgjedhen për gjykatës të Gjykatës kushtetuese të RM-së, me propozim të presidentit Gjorge Ivanov. Ata duhet të vijnë në vendin e gjykatësve Gëzime Starova dhe Natasha Gaber Damjanovska, të cilëve mandati u përfundoi në tetor të vitit të kaluar.

Për shkak të mungesës së propozuesve të propozim ligjeve tjera në seancën e 27-të nga radhët e VMRO-DPMNE-së opozitare, Xhaferi konstatoi se nuk ka kushte të shqyrtohen ato pika. Nuk ka pasur kuorum edhe për punën lidhur me Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, me procedurë të shkurtuar, i cili është në rend të ditës së seancës së 26-të, si dhe për Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve me procedurë të shkurtuar, i cili është pjesë e seancës së 22-të. Në kuadër të seancës së 22-të përfundoi debati i përgjithshëm për Propozim ligjin për ndërprerje të vlefshmërisë së Ligjit për Këshillin për konfirmimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për konfirmimi e përgjegjësisë për gjykatës me procedurë të shkurtuar, për të cilin po ashtu do të votohet të enjten.

Kuvendi, siç paralajmëroi Xhaferi, do të vazhdojë me punë pas orës 15:30 pas pauzës së rregullt të deputetëve.

Kjo është dita e parë e punës e deputetëve pas pushimit me rastin e fundvitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat