Kasami sot do të takohet me Zaevin

Maqedonia

Kasami sot do të takohet me Zaevin

Më: 9 janar 2018 Në ora: 17:03
Zaev-Kasami

Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, sot në ora 18:00 do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev. Këtë sot e konfirmoi në konferencë për shtyp Kasami, duke thënë se temë bisede janë reformat.

“Takimi me Zaevin nuk a lidhje me ndodhitë në Lëvizjen BESA. Jemi marrë vesh që të takohem që nga java e kaluar. Do të bisedojmë për reformat dhe përkrahjen e rrjedhjes reformuese të Qeverisë në Kuvend, ku Lëvizja BESA ka 5 deputetë”, tha Kasami.

I pyetur nëse është e mundshme që të Lëvizja BESA të bëhet pjesë e Qeverisë, ai tha se ky është proces dinamik dhe se ka mundësi për hyrje-dalje, por për momentin ajo nuk është tema.

Ndryshe, ditët e fundit ka përçarje në Lëvizjen BESA, duke u ndarë në dy grupe, në njërin që e shkarkoi Kasamin nga pozita e kryetarit dhe tjetri që e përkrahin që edhe më tej të jetë kryetar i partisë.

Konflikt brendapartiak – “për” dhe “kundër” Bilall Kasamit

Ndryshe, Lëvizja BESA është ndarë në dy fraksione – ai që e përkrah kryetarin aktual Bilall Kasami dhe ai që kërkon dorëheqjen e tij. Ndodhitë në Lëvizjen BESA nisën që më 5 janar, gjegjësisht të premten, kur Zeqirija Ibrahimi dha dorëheqje nga posti nënkryetar i partisë, ndërkaq një ditë më vonë, nëpërmjet një komunikate, Lëvizja BESA ka informuar se prej një nate më parë faqja e kryetarit të Lëvizjes BESA dhe të kryetarit të saj, Bilall Kasami, janë hakuar.

Mbrëmjen e së shtunës u mbajtën Këshilli Qendror në Tetovë, e cila vendosi që të mbahet kongresi i partisë më 24 shkurt, ndërkaq paralelisht mbajti mbledhje edhe Këshilli Qendror i Shkupit, që vendosi ta shkarkojë nga detyra kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami dhe në vend të tij të zgjedhin u.d. kryetar deri në mbajtjen e kongresit, Nexhbedin Karemanin.

Megjithatë, Bilall Kasami për Portalb.mk deklaroi se shkarkimi i tij është vendim ilegal, jashtë statutit të partisë. Ai tha se edhe hyrja në selinë e Shkupit është bërë në mënyrë ilegale, siç thotë ai, sikurse u thyen edhe faqet zyrtare në Facebook.

Të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme e konfirmon hyrjen e Bilall Kasamit, siç thonë ata, të dhunshme në Selinë e Lëvizjes BESA, ndërkaq nuk jep detaje konkrete pasi që po kryhen biseda në polici. Megjithatë, Kasami ka thënë se ai nuk ka hyrë me forcë në selinë e Lëvizjes BESA në Shkup dhe të njëjtët i quajti spina.

Fraksioni i Kasamit insiston se ka legalitet të plotë në parti dhe se ata që i quan “uzurpator” të selisë do të marrin padi penale dhe do të përgjigjen përpara organeve të rendit. Nga ana tjetër, fraksioni i Karemanit, insiston në ilegalitetin e Kasamit, duke thënë që shumica e Kryesisë Qendrore e ka shkarkuar atë nga posti i kryetarit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat