Ja prioritetet për tre dhe gjashtë mujorin e mandatit e të parit të Zhelinës, Blerim Sejdiu

Maqedonia

Ja prioritetet për tre dhe gjashtë mujorin e mandatit e të parit të Zhelinës, Blerim Sejdiu

Më: 10 janar 2018 Në ora: 07:26
Blerim Sejdiu

Blerim Sjediu nga radhët e Lëvizjes Besa fitoi zgjedhjet lokale, duke u bërë kështu kryetari i komunës së Zhelinës.

Ai në debate parazgjedhore premtoi shumë gjëra ndërkaq  Portalb.mk ju sjell premtimet kryesore të tij, që mos të harrohet fjala e dhënë.

Sejdiu premtoi se gjatë mandatit të tij ai do të mundohet që maksimalisht të shfrytëzon pozitën gjeografike që ka Zhelina, duke ju premtuar qytetarëve një jetë të re dhe më të mirë.

“Fatkeqësisht ne ende flasim për bekatonizime, kur komunat tjera po promovojnë turizmin kanë qendra rekreative, kanë parqe, kanë rrugë, kanë qendra vrapimi, kanë ujë … që asnjë nga këto nuk i kemi ne. Nuk kemi shumë buxhet por ne kemi qenë pjesë e një prezantimi në Slloveni, për një institut Slloven ‘Arti future’ , me të cilin kemi bë marrëveshje për një projekt gjigant me emrin ‘Korab 2025’ i cili përshin të gjitha fushat e rajonit të Pollogut që do të na ndihmojë për projektet zhvillimore. Projekti zhvillimor do të jetë për turizmin, për nxitjen dhe stimulimin e prodhimtarisë dhe përfshi këtu edhe bujqësinë, qendrat rekreative, zhvillimin e sportit e kështu me radhë.  Kjo do të realizohet me hapjen e një konkursi ku do të paraqiten investitorët, ku me disa prej tyre ne veç me kemi kontakt që janë tërheqës të Ipa fondeve, dhe fondeve të huaja”, tha Sejdiu.

Tre premtimet primare të cilat I premtoi Sejdiu që do t’i realizon gjatë gjashtë mujorit të parë të mandatit të tij janë: depolitizimi i arsimit, deponia në Dobërc dhe qendra rekreative pranë lumit Vardar.

“Prioritet i joni është stimulimi i prodhimtarisë mirëpo ajo që ne e kemi paraparë si urgjente është depolitizimi i arsimit, nuk do të largojmë askënd nga puna, por do të hiqen duart njëherë e përgjithmonë të politikës në arsim. Me hapjen e konkurseve dhe përzgjedhjen e kandidatëve që plotësojnë kushtet për drejtor, mendojmë se do të depolitizojmë shkollat.  Problemi i dytë është deponia, e cila është në fshatin Dobërc dhe një shoqatë gjermano-shqiptare na premtoi se në gjashtëmujorin e parë do të zgjidhim këtë çështje. Premtimi i tretë që ne do ta realizojmë brenda gjashtë mujorit të parë të mandatit është qendra rekreative pranë lumit Vardar  si dhe menaxhimi i rrugëve në mënyrë speciale”, premtoi Sejdiu.

Në infrastrukturë Sejdiu tha se ka shumë punë, pasi që sipas tij intervenim nuk kanë nevojë vetëm tre fshatra nga gjithsej 18 fshatra të kësaj komune.

“Gjendja e rrugëve është e mjerueshme, vetëm në tre fshatra nuk ka nevojë për intervenim nga gjithsej 18 fshatra të kësaj komune. Në Grupçin premtojmë se në tre mujorshin e parë të mandatit asfalti do të shtrohet”, premtoi Sejdiu.

Sejdiu po ashtu në debatet parazgjedhore premtoi shkollë të mesme për komunën e Zhelinës.

“Komuna e Zhelinës nuk ka shkollë të mesme dhe ne jemi në bisedime me një kompani private për të hapur një shkollë të mesme profesionale për zanate dhe teknike e cila do t’i ndihmojë kësaj komune për kuadro teknike. Nxënësit e komunës tonë mësojnë në Tetovë e cila është 5 kilometra larg, por nëse ata kërkojnë edhe drejtime tjera të arsimit të mesëm ne do të mundohemi t’i realizojmë kërkesat e banorëve. Shkollat e fshatit Pollatic dhe Trebosh janë në gjendje të mjerueshme  dhe ne premtojmë investime në rregullime të kushteve. Gjithashtu premtojmë edhe kënd të fëmijëve në shkollën e Pollaticës si dhe fushë sporti të cilën e kemi edhe në projekt. Ne premtojmë rikonstruim për të gjitha shkollat e kësaj komune që kanë nevojë dhe dy shkolla të reja në fshatin Leshnicë të Poshtme dhe në fshatin Cerovë”, tha Sejdiu.

Sa i përket mjeteve për realizimin e projekteve të parapara, Sejdiu tha se Komuna e Zhelinës ka kapacitet për të investuar në shkolla dhe në bashkëpunim me fondet e huaja si për shembull të Ambasadës zvicerane me MASH dhe ‘ne kemi shumë kontakte nga të cilat mund të thithim fonde për të realizuar premtimet tona’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat