Maqedoni: Optimizëm për zgjidhjen e çështjes së emrit

Maqedonia

Maqedoni: Optimizëm për zgjidhjen e çështjes së emrit

Më: 11 janar 2018 Në ora: 10:06
Në Maqedoni ekziston optimizëm i shprehur qartë për mbylljen e kësaj çështjeje

Raundi i ri i bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësim të mediatorit të OKB-së, Matthew Niemetz do të mbahet më 17 janar në Nju-Jork.

Raundi i fundit i bisedimeve për emrin pas ngecjes trevjeçare u mbajt në Bruksel më 11 dhe 12 të muajit të kaluar. Në këtë takim u paralajmërua, se ndërmjetësuesi Nimetz çdo muaj do të mbajë takime me negociuesit, me qëllim që të gjendet zgjidhje. Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhë të aktiviteteve të intensifikuara dhe optimizmit në Shkup, Athinë, Bruksel dhe Uashington, për mbyllje përfundimtare të kontestit për emrin që vazhdon prej dy dekadash.

Politikanët duhet të punojnë në drejtim të zgjidhjes së kontestit të emrit në këtë vit kalendarik, është shprehur zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani në takim me ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias. Përmes krijimit të një atmosfere dhe besimi të sinqertë, mund të tejkalohen çështjet e hapura, është shprehur Osmani.

 "Viti 2018 paraqet mundësi historike për tejkalimin e mosmarrëveshjeve rreth përdorimit të emrit. Në Maqedoni ekziston optimizëm i shprehur qartë për mbylljen e kësaj çështjeje dhe shpresë, se së bashku me sinjalet pozitive të cilat vijnë nga ana e Greqisë, kjo çështje do të tejkalohet”, ka thënë Osmani.

Edhe zëdhënësi i qeverisë Mile Boshnjakovski në një konferencë për media duke mos u ndalur në detaje ka deklaruar, se ekziston zgjidhje e pranueshme për të dyja palët për çështjen e emrit.

"Klima është përmirësuar dukshëm. Siç kishte thënë në një dekaratë të tijën edhe vetë kryeministri Zoran Zaev ekziston zgjidhje që do të pranohej nga dyja palët”, ka thënë Boshnjakovski.

Shansi duhet shfrytëzuar

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit të Atlantikut Verior për Maqedoninë thotë se zgjidhja e kontestit të emrit përfundimisht ka hyrë në binarë të duhur. Sipas tij gjatë periudhës së ardhshme drejtuesit e vendit i pret një sfidë serioze, ku do të duhet të merren vendime jo të lehta sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit që çon drejt zhbllokimit të procesit euroatlantik.

"Nëse arrihen rezultate konkrete gjatë bidedimeve, atëherë me përkrahjen e ndërkombëtarëve, SHBA dhe BE-së, Republika e Maqedonisë mund të bëhet anëtare e strukturave Veri-Atlantike në fund të gjysmës së parë të këtij viti", ka theksuar Ramadani.

Ilia Acevski sociolog, ka vlerësuar se të gjithë qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht ata maqedonas, duhet të jenë mirë të informuar për çdo hap që çon kah zgjidhja e kontestit dhe modalitetet që diskutohen, sepse në të kundërtën, u lihet vend spekulimeve që mund të paraqesin pengesë plotësuese rreth kësaj çështjeje. "Po, është me rëndësi integrimi i vendit në NATO dhe BE, por njëkohësisht qytetarët duhet ta dinë se cili është çmimi për këtë gjë dhe jo t'u lihet hapësirë hamendjeve, sepse frika që duket se shtrohet si dilemë se për të fituar diçka duhet të humbet diçka tjetër, paraqet rrezik”, ka vlerësuar Acevski.

Historianët dhe emri

Disa historianë dhe akademikë maqedonas kanë theksuar se nuk duhet të ketë referendum për çështjen e emrit në të cilin do të vendosin gjithë qytetarët e Maqedonisë, sepse sipas tyre emri i Maqedonisë, gjuha dhe identiteti janë e drejtë ekskluzive vetëm e maqedonasve. "Është jo e natyrshme të ketë referendum për votim të një kombi, ku për këtë, me votim do të vendosnin qytetarë jo-maqedonas, gjegjësishtë komunitetet e tjera etnike”, thotë kryetari i TMRO Vanço Shehtanski.

Por historiani Skënder Asani mendon krejtësisht ndryshe.Sipas tij disa qarqet maqedonase e kanë lidhur artificialisht identitetin-emrin e shtetit për t'i mënjanuar shqiptarët nga shtetformësia e tyre dhe për të qenë të barabartë në shtet në aspektin institucional. Nëse shqiptarët mënjanohen nga bisedimet me Greqinë, atëhere Maqedonia nuk do të ketë perspektivë si shtet, vlerëson Asani. "Rrethanat historike janë ndryshe. Shtylla kryesore për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë për çështjen e emrit janë shqiptarët, sepse në qoftë se mënjanohen shqiptarët unë jam i bindur se Maqedonia nuk do të ketë perspektivë si shtet, sepse shqiptarët ndër vite kanë dëshmuar se janë faktor stabiliteti në Ballkan e pranuar edhe nga Bashkësia ndërkombëtare”, vlerëson Skënder Asani./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat