Miratimi i ligjit, a do të praktikohet apo pasivizohet gjuha shqipe në Maqedoni?

Maqedonia

Miratimi i ligjit, a do të praktikohet apo pasivizohet gjuha shqipe në Maqedoni?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 janar 2018 Në ora: 17:44
Kuvendi i Maqedonisë

Ligjvënësit e Parlamentit të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë në një votim parlamentar të bojkotuar nga partia kryesore e opozitës, sot (e enjte) kanë miratuar një ligj që e bën gjuhën shqipe si gjuhën e dytë zyrtare të vendit në Maqedoni.

Ndonëse Ligji miratoi këtë me mbështetjen e 69 ligjvënësve në parlamentin 120-anëtarësh,  megjithatë ajo ende kërkon miratimin nga presidenti i vendit,  para se të hyjë në fuqi.

Dihet se shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e 2.1 milionë njerëzve të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe ligji i ri u lejon atyre të përdorin gjuhën shqipe në komunikimet me të gjitha institucionet zyrtare në të gjithë vendin.

Një ligj i mëparshëm, u ngrit nga një marrëveshje paqeje  në vitin 2001 ku fatkeqësisht përfundoi në një konflikt të armatosur ndërmjet shqiptarëve dhe forcave qeveritare dhe kjo e drejtë u dha vetëm në zonat ku pakica ishte më e madhe se 20 për qind e popullsisë.

Në lidhje me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike në Maqedoni politikani Zudi Xhelili ka thënë për “Bota sot” se ky miratim është një arritje shumë e madhe për shqiptarët e Maqedonisë për shkak se nënkupton një lloj federalizmi.

Image
Zudi Xhelili

“Edhe pse përdorimi i gjuhës shqipe ishte një nga pikat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, ligji që pasoi nuk ishte i mirë, sepse e kufizonte përdorimin e gjuhës shqipe në nivel shtetëror. Duke e parë shqiptarët këtë defekt të ligjit, partitë politike arritën një marrëveshje ku edhe u quajt si “Marrëveshja e Tiranës” në të cilën marrëveshje mes tjerash është edhe përdorimi shtetëror i gjuhës shqipe”, ka thënë Xhelili.

Sipas tij, kjo marrëveshje e partive politike shqiptare ishte kusht për të mbështetur Zoran Zaevin të formojë Qeveri.

“Ai mori përsipër të realizojë platformën e tri partive shqiptare, ku një nga partitë politike shqiptare (Aleanca për shqiptarët) e afatizoi sjelljen e ligjit për gjuhën shqipe. Ky kushtëzim apo afatizim dha rezultate edhe sot me 69 vota për tu miratua ligji për gjuhët respektivisht përdorimi shtetëror i gjuhës shqipe”, ka thënë Xhelili duke shtuar se marrëveshja për sherr u quajt “ Marrëveshja e Tiranës “ ndërsa ishte marrëveshje e partive shqiptare në Maqedoni  e ndërmjetësuar nga Tirana “, ka thënë Xhelili.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve politike në Maqedoni Sulejman Mehazi ka thënë për “Bota sot ”se ky miratim është më shumë  meritë e partisë maqedonase LSDM-së e Zaevit sesa e BDI-së së Ali Ahmetit, i cili që nga viti 2002 e këndej zyrtarizohej shqipja vetëm me fjalë e kurrë asnjëherë  ligjërisht.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, edhe përkundër këtij miratimi që është për tu gëzuar, megjithatë ekziston dyshimi se shqipja do të përdoret e do respektohet vetëm praktikisht.

“T’ju them të drejtën  frikohem se gjuha shqipe do të mbetet më shumë pasive, sesa aktive. Problemi i dyshimit është edhe tek 20% i popullsisë së banuar me shqiptarë, po në Manastir, Velesh, Prespë e gjetiu, çfarë do bëhet me shqiptarët e atjeshëm lind pyetja? A do flitet e të shkruhet gjuha shqipe zyrtarisht edhe në atje? Besojmë se jo fatkeqësisht , por megjithatë, ky ligj është i mirë e i përshtatshëm për 20 e më shumë për qind të popullsisë. Sa mirë do ishte që zyrtarizmi i shqipes të bëhej një me dashurinë dhe sinqeritetin e popullatës shqiptare së bashku: gjuha, sinqeriteti, dashuria e punët e mira në një”, ka thënë njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Sulejman Mehazi.

Ai mes tjerash ka theksuar se pengesa kryesore e zyrtarizmit është presidenti kontrovers i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov.

“Pikërisht për këtë kjo do të jetë pengesa më e madhe e këtij ligji, për shkak se Ivanovi kurrë se nënshkruan këtë të mirë shqiptare, dhe ai mund të nënshkruajë vetëm nën presionin e diplomatëve evropian”, është shprehur njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat