Apeli konfirmon paraburgimet për pjesëmarrësit e 27 prillit

Maqedonia

Apeli konfirmon paraburgimet për pjesëmarrësit e 27 prillit

Më: 15 janar 2018 Në ora: 18:02
Gjykata supreme

Deputetët e VMRO-së, Sasho Vasilevski dhe Luben Arnaudov mbeten në Shutkë. Gjykata e Apelit i refuzoi sot ankesat e tyre për anulimin e paraburgimit.

Në arrest shtëpiak mbetet edhe Johan Tarçullovski, ndërsa në burgun hetues edhe më tutje duhet të qëndrojë edhe polici Abdylfetah Alimi, i cili pohonte se ka shpëtuar deputetin Zijadin Sela, gjatë dhunës në Parlament. Gjykata e Apelit nuk i respektoi ankesat e Jane Çento, Ivan Cvetanovski dhe nëpunëses së parlamentit, Elena Docevska.

Deri tani kjo gjykatë i refuzoi të gjitha ankesat e të paraburgosurve, të dyshuar për ngjarjet e përgjakshme dhe hyrjen në Kuvend më 27 prill. Ndonëse Prokuroria e lartë kërkoi që të anulohet paraburgimi i aktorit Vllado Jovanovski dhe t’i shqiptohet masë më e butë, gjykata më e lartë e konfirmoi vendimin fillestar të Gjykatës Penale dhe ai mbeti në Shutkë.

Të premten, Gjykata e Apelit njoftoi se ankesat për lirim nga paraburgimi u janë refuzuar edhe ish-drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov, operistit Igor Durllovski, si dhe Bogdan Ilievskit, të njohur me nofkën „Betmen“.

Në seanca publike ankesat nuk u janë pranuar as Oliver Popovskit, kryeshef në Drejtorinë e Gjashtë të MPB-së, Goran Gjoshevskit, shef i sigurimit të ish-kryeparlamentarit Trajko Veljanovski, si dhe Munir Pepiqit, Dushko Llazarovit, Mitko Peshovit, Oliver Radullov dhe Ilija Sllavevski.

Sot në seancë të mbyllur për opinionin, ankesën për masën paraburgim para Gjykatës së Apelit, e arsyetuan avokatët e deputetit Kërsto Mukoski. Vendimin – Gjykata e Apelit të mos i respektojë ankesat e të paraburgosurve e kritikoi ashpër opozita.

VMRO-DPMNE-ja edhe sot pohonte se gjykatësit vendosin sipas diktatit politik, ndërsa masa e paraburgimit është duke u keqpërdorur. Sipas tyre, Qeveria e LSDM-së në mënyrë institucionale qëron hesapet me të gjithë ata që nuk mendojnë si kryeministri Zoran Zaev.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat