“Drislla” duhej të mbyllej para gjashtë vitesh

Maqedonia

“Drislla” duhej të mbyllej para gjashtë vitesh

Më: 16 janar 2018 Në ora: 15:05
Ilustrim

Furra e vjetër në të cilën në deponinë Drislla digjen mbeturinat mjekësore është dashur të shkojë në histori që para gjashtë viteve. Këtë e konfirmuan edhe nga Bashkia e Shkupit. Kërkesë për blerjen e furrës moderne ka pasur edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Ata thonë se tymi që del nga furra është helmues, por nuk është ndonjë kërcënim i madh për Shkupin për shkak të erërave që fryjnë në drejtim të kundërt.

“Madje edhe kemi marrë pjesë në ato specifikime për procedurën e tenderit disa vite më parë. Tenderi i parë përmes Ministrisë së Mjedisit nuk ia doli për fat të keq. Pas kësaj kishte përpjekje për tender të dytë, por sa më kujtohet nuk u bë asgjë”, tha Mihail Koçubovski, udhëheqës i Departamentit për mjedis të shëndoshë pranë ISHP-së.

Nga Inspektorati Shtetëror për mjedisin thonë se në qoftë se edhe tani Drislla nuk i përmbush kushtet, do të përballet me masa më të rrepta.

“Nëse nuk i plotëson kushtet, Drislla do të përballet me një dënim shumë më të madh se ai paraprak dhe sigurisht do të vijnë deri tek mbyllja”, deklaroi Miroslav Bogdanovski, drejtor i Inspektoratit të Mjedisit Jetësor.

Banorët e fshatit Batincë që jetojnë vetëm një kilometër nga deponia, dëshmojnë se vazhdon të përhapet era kundërmuese, sidomos gjatë natës.

“Kundërmon shumë, më shumë gjatë natës, sikur djegin diç, nuk e di çfarë”.

“Nga kjo papastërti, më pas ato grimcat hyn nëpërmjet hundës tek njerëzit dhe shkaktojnë sëmundje”.

“Kundërmon, të gjithë fëmijët janë të sëmurë, të gjithë jemi të sëmurë prej deponisë.”

Para dy javëve, Drislla u gjobit me 8,500 euro për shkak të lëshimit të substancave toksike në ajër mbi kufijtë e lejuar. Mori afat deri në fund të shkurtit për të vendosur filtrat e ujit në oxhak të furrës, ndërsa deri në fillim të verës të instalojë furrë moderne.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat