Zaev optimist për zgjidhjen e kontestit me Greqinë

Maqedonia

Zaev optimist për zgjidhjen e kontestit me Greqinë

Më: 19 janar 2018 Në ora: 17:10
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Institucionet e Maqedonisë janë të vetëdijshme se pa një kompromis me Greqinë për çështjen e emrit, nuk mund të pritet zhbllokimi i procesit të integrimit të vendit në NATO dhe marrja e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Një porosi të tillë dha gjatë vizitës të enjten në Shkup edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg. Ai tha se zyrtarët e institucioneve përveç se ambiciozë, duhet të jenë edhe realist se kontesti rreth emrit është vendimtar për ecjen para të Maqedonisë.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev thotë se beson se zgjidhje mund të ketë, por ka refuzuar të japë detaje nga propozimi i ndërmjetësit të OKB-së, Metju Nimic, gjatë bisedimeve të mërkurën në Nju Jork me negociatorët e dy vendeve.

“Për thelbin e propozimit, për bisedimet, për kornizës e zgjidhjes së kontestit që është dorëzuar nuk do të doja të flas publikisht, që të mos prishim gjasat që ekzistojnë. Procesi është transparent dhe ne dëshirojmë që të kemi konsensus nacional për këtë çështje, dhe zgjidhjen qytetarët në fund ta miratojnë me referendum. Unë jam i bindur se mund të gjejmë zgjidhje, sikur ne të kemi kujdes për interesat e palës grek dhe ajo të ketë kujdes interesat tona”, ka deklaruar Zaev, duke e quajtur personal vlerësimin e negociatorit, Vasko Naumovski, i cili pas bisedimeve në Nju Jork tha se propozimi i ndërmjetësit Nimic nuk është i favorshëm për Maqedoninë.

“Bëhet fjalë për qëndrim personal, njerëzit munden lirisht të komentojnë, por unë jam optimist dhe madje disa më thonë optimist i papërmirësuar. Unë besoj se dy vendet fqinje kanë për qëllim që të jenë shtete mike edhe më të fuqishme. Do të gjejmë zgjidhje e cila do të ruajë dinjitetin e të dyja palëve, që gjithashtu do të ishte përfitim për dy popujt”, ka deklaruar Zaev gjatë një manifestimi fetar në Strugë.

Mesazhet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, sipas njohësve të çështjeve ndërkombëtare duhet të merren seriozisht, pasi ndryshimi i emrit është alternativa e vetme për anëtarësim fillimisht në NATO.

Ish-diplomati Nano Ruzhin, thotë se janë absurde të gjitha debatet që bëhen në opinion se gjoja me ndryshimin e emrit, maqedonasit do të humbin identitetin.

“Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është një nga qëllimet më të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Ndryshimi i emrit, nuk do ta ndryshojë identitetin tonë. Ne jemi ata që jemi, që e flasim këtë gjuhë dhe askush nuk do të mund të na ndryshojë identitetin tonë. Identiteti është ndjenjë e përkatësisë së një bashkësie etnike, dhe ajo assesi se nuk mund të zhbëhet për shkak të ndryshimit të emrit të shtetit. Nga kjo mund vetëm se të ketë ndryshime pozitive, në kuptimin se vendi do të anëtarësohet në institucionet euroatlantike, aty ky edhe është synimi i pjesës dërrmuese të qytetarëve të cilët kërkojnë perspektivë, e të cilën mund ta gjejnë vetëm se në Bashkimin Evropian dhe me anëtarësimin e vendit në NATO”, thotë Ruzhin.

Jozyrtarisht, siç bëhet e ditur se ndërmjetësi Metju Nimic, gjatë bisedimeve në Nju Jork ka dalë me disa propozime për emrin si Maqedonia e Re, Maqedonia e Veriut, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Vardarit dhe Maqedonia e Shkupit. Por, të gjithë këto emra, siç kanë transmetuar mediat, do të jenë një gjuhën maqedonase, si për përdorim të brendshme ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat