Mungesa e stafit në Çerdhe, nevojiten mbi 2000 kujdestare të reja

Maqedonia

Mungesa e stafit në Çerdhe, nevojiten mbi 2000 kujdestare të reja

Më: 21 janar 2018 Në ora: 17:25
Ilustrim

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ka dhënë miratim për vazhdimin e 214 marrëveshjeve për punësim në kohë të caktuar deri në fund të muajit shkurt. Prej aty, thonë se po bëhet analizë e detajuar në çdo institucion, pas çka do të vijojë edhe një zgjidhje e përhershme e problemit me stafin. Udhëheqësia aktuale e kësaj ministrie, për situatën me edukatoret dhe çerdhet e akuzoi pushtetin e mëparshëm.

Vlerësohet se nëpër çerdhet do të duhet të punësohen 2000 persona të tjerë, që është indikator se gjatë dekadës së fundit në mënyrë sistematike është prishur mbrojtja e fëmijëve.

“Sipas të dhënave që i kemi marrë nga Institucionet Publike për fëmijë nga komunat e Qytetit të Shkupit, në shator kanë qenë të punësuar 742 edukatore, 71 prej të cilave me marrëveshje në kohë të caktuar. Në procedurë është marrja e pajtimit që këta persona të punësohen në kohë të papërcaktuar”, thanë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Nga ana tjetër, prindërit paralajmërojnë bojkot në çerdhen “Koço Racin”, për shkak të ndryshimit të edukatores Suzana Çurlinova. Thonë se më këtë procedurë është rrezikuar zhvillimi psikofizik i fëmijëve të tyre.

“Dy fëmijët e mi më të mëdhenj dhe tani edhe fëmija e tretë që është prekur drejtpërdrejt nga ky problem,  kanë qenë nën kujdestarinë e kësaj edukatoreje. Për këtë çerdhe mund të them vetëm fjalë pozitive, duke nisur nga transparenca, kujdesi për zhvillimin e fëmijëve, e veçanërisht për atë edukatore, e cila ka 20 vite stazh”, tha Jovana Andonovska, prind.

Ndërsa, edukatorët e çerdheve, ankohen për rrogat e ulëta. Ata të mërkurën protestuan para Qeverisë, së bashku me arsimtarët.

“Ne që punojmë në çerdhe jemi në margjinat e shtetit dhe sigurisht se duhet rrogat tona të rriten. Unë marr 14.000 denarë, kurse në çerdhe punoj 35 vite. Konsideroj se për punën që e bëjmë marrim rroga të ulëta”, tha Edukatorja.

Aktualisht, në Republikën e Maqedonisë ka gjithsej 65 Institucione Publike për fëmijë – çerdhe fëmijësh dhe 4 Qendra Publike për zhvillim të hershëm të fëmijëve. Gjithsej 69 Institucione Publike me 272 objekte janë shpërndarë në 59 komuna, si dhe 37 Institucione private për fëmijë. Veprimtaria realizohet në gjithsej 309 objekte. Në 60, prej gjithsej 80 komunave ka Institucione publike për  edukim të fëmijëve. Në 6 komuna ka çerdhe në objekte të improvizuara, ndërsa në 14 komuna nuk ka çerdhe fare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat