Selmani: 95 për qind të sulmeve ndaj gazetarëve, i ka bërë OBRM-PDUKM-ja

Maqedonia

Selmani: 95 për qind të sulmeve ndaj gazetarëve, i ka bërë OBRM-PDUKM-ja

Më: 22 janar 2018 Në ora: 12:52
Naser Selmani

“95 për qind e sulmeve ndaj gazetarëve janë kryer nga pushteti i kaluar, gjegjësisht opozita e tanishme OBRM-PDUKM”, tha kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, duke shtuar se qeveria e re nuk tregon asnjë interes të veçantë për përmirësimin e situatës.

“Gazetarët në Maqedoni punojnë në kushte jo të sigurta. Vitin e kaluar u rrahën, kidnapuan, u kërcënuan me jetë, u shpallën tradhtarë, ndërsa institucionet nuk arritën të dënojnë asnjë nga dhunuesit”, tha Selmani.

Ai paraqiti raportin për mediat dhe sigurinë e gazetarëve për vitin 2017, në të cilin thuhet se gazetarët sulmohen, pasi dhunuesit duan t’i frikësojnë dhe heshtin, me qëllim që opinioni të mos mësojë veprat e politikanëve.

“Vitin e kaluar janë regjistruar 18 sulme, prej të cilëve 13 fizik dhe verbal, ndërsa të tjerët në pengimin e punës dhe mjetet e gazetarëve”, tha Selmani.

Sipas raportit, sulmi më i rëndë ndaj gazetarëve ka qenë më 27 prill të vitit të kaluar, ku siç tha Selmani, mbështetës të OBRM-PDUKM-së me dhunë u futën në Kuvend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat