Zaev në takim me Junkerin, Borisovin, Hanin, Mogerinin dhe liderët nga Ballkani Perëndimor

Maqedonia

Zaev në takim me Junkerin, Borisovin, Hanin, Mogerinin dhe liderët nga Ballkani Perëndimor

Më: 1 mars 2018 Në ora: 18:59
Zoran Zaev,Junkerin, Borisovin, Hanin, Mogerinin dhe liderët nga Ballkani Perëndimor

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, mori pjesë në takimin e punës të kryetarit të Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker dhe Kryeministrit të Bullgarisë Bojko Borisov, si kryeministër i vendit kryesues me BE-në, me shefat e shteteve dhe qeverive nga Ballkani Perëndimor, që u mbajt në Sofje.

Në takim, siç kumtoi shërbimi qeveritar për media kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederika Mogerini dhe eurokomsiari për Zgjerim, Johanes Han.

Porosia nga ky takim pune është se BE-së i duhen lajme të mira nga Ballkani, si dhe se pritet që shtetet e rajonit të jenë efikase në zbatimin e nismave rajonale: bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin politik, luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Pas takimit të punës Kryeministri Zaev, në deklaratën për mediat ka thënë se në takim, nga kryetari i KE-së, Junker së bashku me eurokomisarin Han dhe përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së Mogerini është riafirmuar se KE-ja është e përkushtuar në integrimet në BE të vendeve nga Ballkani Perëndimor.

“Sot përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian kumtuan se tani janë serioze perspektivat për Ballkanin Perëndimor në rrugën drejtë BE-së”, ka theksuar Kryeministri Zaev.

Kryeministri Zaev ka shtuar se është paralajmëruar mbështetje serioze e vendeve të rajonit në pjesën e infrastrukturës, me mjete financiare në lartësi prej disa mijë eurosh.

Image

Gjithashtu, siç ka thënë kryeministri Zaev, është dërguar porosia se “prijës i këtyre proceseve duhet të jenë proceset reformuese”.

Liderët e shteteve nga rajoni, nga euro përfaqësuesit e lartë, janë inkurajuar të vazhdojnë me bashkëpunimin rajonal dhe ndërlidhjen infrastrukturore.

Si reforma të rëndësishme prej të cilave pritet progres deri në Samitin e Ballkanit Perëndimor në maj në Sofje, në takimin e punës, janë theksuar reformat në gjyqësi, media, administratën publike dhe shërbimet sekrete dhe polici, siç ka kumtuar kryeministri Zaev, “janë përgjegjësi e madhe për Republikën e Maqedonisë, por edhe diçka që i hap europrespektivat”.

“Ne presim që në prill të hiqet kushtëzimi nga rekomandimi, ndërsa në qershor të marrim dhe datë për fillimin e negociatave me BE-në. Këto janë qëllime të vlefshme të cilave duhet t’ju përkushtohemi të gjithë”, ka thënë kryeministri Zaev në deklaratën e tij.

Para kamerave të shumta të gazetarëve dhe interesimit të madh të mediumeve kryeministri Zaev ka shprehur falënderim për kolegun e tij nga Bullgaria, Borisov.

“Një pjesë serioze e angazhimeve i është kushtuar miqve dhe fqinjëve, dhe ajo vlen të respektohet”, ka theksuar Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë, Zaev ka theksuar se Maqedonia është e përkushtuar në Korridorin 8 dhe në zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore të këtij korridori drejt Bullgarisë dhe Shqipërisë, si dhe instalimin e infrastrukturës optike, lidhjen me gaz dhe uljen e çmimeve të roamingut

“Ta prezantojmë Ballkanin si vend të vlefshëm në Evropë”, theksoi Zaev.

Në pyetjen e gazetarëve në lidhje me kontestin me emrin, kryeministri ka vlerësuar se “tani janë shanset më të mëdha për zgjidhje”, se ka përkushtim nga të dy palët, duke përfshirë edhe kryeministrin Cipras, dhe se çështja është e vështirë dhe e ndjeshme, por dhe se i hap perspektivat e Maqedonisë për anëtarësim në BE dhe NATO.

Kryeministri Zaev ka shtuar se është mirë që të dy palët janë përcaktuar për një zgjidhje dinjitoze të çështjes së emrit.

“Besoj se edhe Greqisë i nevojitet zgjidhje të kësaj çështjeje me problematikë ndërkombëtare. Besoj se të gjithë politikanët në Greqi, kryesisht kryeministri Cipras, liderët e opozitës, zotëri Micotakis, dhe politikanët tjerë, më shumë mendojnë për ardhmërinë e Greqisë dhe gjithë popullatës greke”, potencoi kryeministri Zaev.

Me insistimin e gazetarëve kur mund të pritet zgjidhja e çështjes së emrit, kryeministri Zoran Zaev vlerësoi se mund të ndodhë para Samitit të BE-së në qershor, kur Maqedonia pret datë për fillim të negociatave me BE-në.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat