Për konceptin "qytet i mençur" bashkëpunim i të gjithë faktorëve

Maqedonia

Për konceptin "qytet i mençur" bashkëpunim i të gjithë faktorëve

Më: 9 mars 2018 Në ora: 14:19
Foto nga takimi

Koncepti "qytet i mençur" dhe si ai mund t'i përmirësojë kushtet e jetesës në qendrat urbane përmes kombinimit të zhvillimit ekonomik dhe të qëndrueshëm të mjedisit jetësor,  ishte temë e konferencës së parë nacionale për qytete të mençura në organizim të Qendrës  për Hulumtime dhe Informim të Mjedisit Jetësor "Eko-vetëdije" nga Shkupi.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski tha se që të funksionojnë qytetet e mençura nëpër shtet duhet të investohet së bashku me vetëqeverisjen lokale dhe sektorin privat që të sigurohet infrastrukturë bazë.

"Kryetarët e komunave do të duhet të kuptojnë se teknologjia vetvetiu  nuk do ta bëjë qytetin më të mençur. Ndërtimi i qyteteve të mençura kërkon mirëkuptim politik për teknologjinë, mirëkuptim për proceset të cilat janë pas kësaj teknologjie dhe dëshirë  për sigurimin e shërbimeve më të shpejta më efikase dhe më të lira të qytetarëve. Kryetarët e komunave shumë shpejt do të përballen me sfida të mëdha që të sigurojnë  shërbimet më themelore të qytetarëve, si për shembull ujin", tha Mançevski.

Ambasadorja zvicerane Sibil Suter Tejada informon se Zvicra ka vendosur  financiarisht ta përkrahë zhvillimin e konceptit për "Ohër të mençur" dhe t'u ndihmojë komunave dhe qytetarëve të menaxhojnë me transportin rreth Liqenit të Ohrit në mënyrë të qëndrueshme.

"Vlerat e veçanta të liqenit të Ohrit dhe statusi i tij në rajonin e UNESKO-s, kërkojnë vëmendje të veçantë dhe të gjithë faktorët e përfshirë duhet t'i marrin parasysh  çështjet e lidhura me mbrojtjen e liqenit dhe mjedisit të tij në mënyrë më serioze. E përkrahim  përgatitjen e studimit të arsyeshëm i cili do të ofrojë pikëpamje të ndryshme dhe zgjidhje të mençura për sfidat e lidhura  me transportin në rajonin e Ohrit. Bëhet fjalë për qasje inovative e cila është zbatuar si metodologji për herë të parë në Maqedoni", tha ambasadorja Tejada.

Ajo theksoi se implementimi i konceptit të mençur do të jetë sfida kryesore për autoritetet në nivel qendror dhe lokal, për qytetarët dhe turistët.

Drejtoresha ekzekutive e "Eko-vetëdijes", Ana Çolloviq Leshoska deklaroi se kanë përgatitur broshurë informative për qytetet e mençura që të japin shembuj praktik për atë se ç'nënkupton dhe ku mund të përdoret ky koncept.

Popullata botërore urbane është në rritje të përhershme dhe pritet deri në vitin 2050, në mjediset urbane të jetojë 70 për qind e popullatës botërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat