QKSS: Imamët radikalë dhe OJQ-të përhapin radikalizmin në Maqedoni

Maqedonia

QKSS: Imamët radikalë dhe OJQ-të përhapin radikalizmin në Maqedoni

Më: 14 mars 2018 Në ora: 15:46
Flamuri i Shtetit Islamik, ilustrim

Fillet e para të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në shtetin e Maqedonisë janë përhapur nga një grup imamësh radikalë dhe të paligjshëm, të cilët janë kthyer nga Lindja e Mesme, thuhet në një raport të publikuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

“Radikalizimi u nxit nga lulëzimi i OJQ-ve me prejardhje nga Lindja e Mesme, të cilat u përhapën nën flamurin e humanizmit”, thuhet në raport duke shtuar se një përhapje e ideve ekstremiste ka ndodhur kryesisht në qytetin e Shkupit dhe atë të Kumanovës.

Nuk ka të dhëna zyrtare se sa persona kanë shkuar në vatrat e luftës në Siri dhe Irak. Mirëpo, në raport shkruan se janë rreth 156 luftëtarë të huaj nga Maqedonia, ku disa prej tyre janë vrarë dhe të tjerët ende besohet se janë në Siri dhe Irak.

Gjithashtu sipas këtij raporti nxitësit dhe rekrutuesit kryesorë të ideologjisë ekstremiste kanë qenë dy imamë shqiptarë me ndikim të madh në Maqedoni.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, ata që shkuan në Siri dhe Irak ishin motivuar të bashkohen me grupin militant, Shteti Islamik për shkak se ishin të zhgënjyer me sistemin politik në Maqedoni, duke vënë theks të veçantë tek besimi i ulët në partitë shqiptare që veprojnë në këtë vend.

“Ka një rritje të përgjithshme të fetarizmit mes shqiptarëve etnikë në Maqedoni, në krahasim me Kosovën e sidomos me Shqipërinë”, shkruan në raport.

Në hulumtim konstatohet se shteti i Maqedonisë do të ketë probleme deri sa komuniteti shqiptar nuk përfshihet plotësisht në institucionet e Maqedonisë.

QKSS thotë se thirrjet për dhunë vazhdojnë të jenë të pranishme në Maqedoni por këto po ndodhin kryesisht përmes medieve sociale.

“Kohët e fundit, radikalizmi online po shërben gjithnjë e më shumë si instrument rekrutimi në Maqedoni. Në Facebook, YouTube dhe Telegram postohet përmbajtje e dhunshme. Narrativa kryesore përfshinë “thirrje për xhihad”, thirrje për sulme kundër “kryqtarëve”, hebrenjve dhe komuniteti shia, përkrahje për sulme terroriste në Perëndim”, thekson raporti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat