Testimet TIMS, nxënësit shqiptarë më të dobët se maqedonasit

Maqedonia

Testimet TIMS, nxënësit shqiptarë më të dobët se maqedonasit

Më: 14 mars 2018 Në ora: 22:21
Nxënësit

Kushtet në të cilat organizohet procesi mësimor nga njëra anë dhe në anën tjetër cilësia e shkollimit janë dy komponentë pashmangshmërisht të lidhura njëra me tjetrën. Këtë e vërtetojnë edhe rezultatet që tregojnë nxënësit në përfundim të vitit shkollor apo edhe gjatë testimeve të ndryshme dhe ku shqiptarët janë çdoherë të pozicionuar më keq. Në testimet ndërkombëtare të provimeve të matematikës dhe shkencave natyrore (TIMS) si për lëndën e matematikës ashtu edhe për lëndët e shkencave natyrore, analizat sipas gjuhës në të cilën është zhvilluar mësimi, kanë treguar se nxënësit e paraleleve shqipe kanë treguar rezultate më të dobëta.

Sipas një analize që ka bërë në këtë pikë MASH-i enkas me testimet e TIMS-it, rezulton që në provimet e lëndës së matematikës, nxënësit maqedonas kanë fituar 452 pikë, ndërsa nxënësit shqiptarë 375 pikë. Rrjedhimisht të parët janë renditur në vendin e 24, ndërsa të dytët në vendin e 39. Në shkenca – dallimi është gjithashtu evident. Nxënësit maqedonas kanë fituar 441 pikë ose vendin e 28, kurse nxënësit shqiptarë 342 pikë ose vendin e 41. Nota mesatare që kanë arritur të fitojnë nxënësit maqedonas është 3.32, ndërsa nxënësit shqiptarë 3.01. Një analizë e këtillë nuk është bërë për testet ndërkombëtare të PISA-s, ndërsa viteve të fundit nuk publikohen as ranglistat me emrat e shkollave sipas rezultateve që arrijnë nxënësit në provimet e maturës shtetërore. Por, për aq vite sa në fillim bëhej publike ajo listë, shkollat me mësim në gjuhën shqipe gjendeshin të renditura zakonisht nga vendet e fundit.

Prej vitesh është i njohur fakti se nxënësit shqiptarë mësojnë në kushte shumë herë më të vështira se nxënësit maqedonas, me shkolla të stërngarkuara, numër të madh të nxënësve në klasë dhe me më pak profesorë se maqedonasit, shkruan koha. Në Kumanovë, për shembull, paralelet maqedonase të shkollave të mesme gjenden në objekteve e shkollave amë, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë nëpër objekte të improvizuara në hapësirat e ish-Kombinatit Industrial-Bujqësor, në ish-Universitetin e Punëtorëve apo në godinat e ish-Kazermës ushtarake.

Për paralelet e mesme të makinerisë, nxënësit maqedonas kanë laboratorë, sallat e makinerive për mësimin praktik, ndërsa të dytët vetëm shkumësin dhe dërrasën e zezë. Situata është thuajse identike për paralelet e mesme bujqësore në Likovë, të cilët nuk kanë një objekt të vetin dhe funksionojnë në kuadër të shkollës fillore “Dituria”. Paralelet e Zhitoshës, edhe pse janë pavarësuar nga gjimnazi i Kërçovës, sot e kësaj dite vuajnë mungesën e kompjuterëve. E thënë në formën më të butë, nxënësit e këtyre shkollave nuk kanë se ku të zhvillojnë orën e informatikës. Në Veles, sikurse dihet – ka mungesë të jashtëzakonshme të profesorëve për paralelet me mësim në gjuhën shqipe.

Në Strugë, Tetovë, Gostivar dhe shumë shkolla të kryeqytetit numri i nxënësve shqiptarë në paralele dhe shkolla është tej mase i ngarkuar.

Përveç kësaj, nxënësve shqiptarë u mungojnë edhe tekstet shkollore, në kohën kur nxënësit maqedonas në mungesë të librave të rinj të pabotuar ende nga MASH-i, mund të shfrytëzojnë librat e vjetër (që më herët nuk kanë qenë përkthyer në gjuhën shqipe). Sakaq, librat e rinj të përkthyer edhe në gjuhën shqipe janë rëndomë me gabime të rënda përmbajtjesore. E gjithë kjo tablo kushtesh të disfavorshme për nxënësit shqiptarë, duke nis nga mungesa e kushteve hapësinore, librave dhe pajisjeve të tjera për shkollim profesional për të vazhduar me mbingarkesën e paraleleve dhe shkollave, është përgjigja më e mirë për shumë pikëpyetje që mund të hapen rreth cilësisë më të ulët të shkollimit në gjuhën shqipe krahasuar me cilësinë e shkollimit në gjuhën maqedonase.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat