Në stenogramet e dala dje nga Kuvendi shihet se nuk ka votuar as deputeti i LSDM-së, Ferid Muhiq, por edhe ai ia hedh fajin sistemit dhe thotë se vota e tij është dhënë pro ligjit.
“Kam votuar për Ligjin e gjuhëve, gjë që mund të vërtetohet dhe të shihet edhe në video-incizimet gjatë votimit të etniteteve joshumicë në Kuvend.
Veç nuk jam shumë i sigurt se sa ky problem do të mund të përmirësohet në stengoramet e Kuvendit.
Për këtë arsye tani dua të shpreh sigurinë time të plotë se ky ligj është kushtetues dhe për të mirën e gjithë qytetarëve të vendit”,- tha deputeti i LSDM-së, Ferid Muhiq.
Në votimin elektronik për Ligjin e gjuhëve numërohen votat e 64 deputetëve, të cilat u duhen shtuar edhe votat e tre deputetëve që ankohen se nuk janë regjistruar në sistem.
Gjithsesi, pamjet filmike dhe fotografitë, që tregojnë duart lart të këtyre deputetëve gjatë votimit me badenter, kur sistemi u prish tërësisht, janë të mjaftueshme për të treguar se Ligji për përdorimin e gjuhëve i ka votat e shumicës absolute të deputetëve në Parlament dhe të deputetëve të etniteteve joshumicë.