Joveski si Zvërlevski, paralajmëron masë disiplinore kundër prokurorëve shqiptarë

Maqedonia

Joveski si Zvërlevski, paralajmëron masë disiplinore kundër prokurorëve shqiptarë

Më: 16 mars 2018 Në ora: 15:43
Lubomir Joveski

Kryeprokurori i Republikës së Maqedonisë, Lubomir Joveski e ka dënuar veprimin e katër prokurorëve shqiptar që kundërshtuan vendimin e djeshëm të Prokurorisë së Kumanovës për rikualifikimin e lëndës “Almiri”. 

“Vlersoj se ky veprim është joprofesional dhe me këtë keqpërdoret funksioni i prokurorit publik dhe rëndë shkelet Kodeksi Etik i Prokurorëve Publik të Republikës së Maqedonisë. Veprimi i tyre vë në pikëpyetje seriozitetin e pavarësisë, lojalitetit dhe dinjitetin e Prokurorit Publik”, tha mes tjerash Joveski. 

Joveski kujtoi se prokurorët nuk duhet të bien pre e vlerësimeve subjektive ose presionit të opinionit dhe politikës dhe se ligji vlen për të gjithë në mënyrë të njëjtë, pavarësisht përkatësisë etnike ose fetare. Prokurori Publik tha se rikualifkimi është i ligjshëm dhe duhet të mbetet i tillë.

Ndryshe, katër prokurorë shqiptarë sot kanë kundërshtuar akuzën e re kundër vrasësit të Almir Aliut 4-vjeçar. Në një letër publike dërguar mediave, prokurorët Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta, kanë shkruar se ata qëndrojnë ende në mendimin se kualifikimi i veprës në start është ajo me të cilën duhet të vazhdojë të përndiqet Boban Iliq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat