Ivanov është burracak, thotë Zaev

Maqedonia

Ivanov është burracak, thotë Zaev

Më: 16 mars 2018 Në ora: 18:30
Ivanov dhe Zaev

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev lëshoi kritika të ashpra ndaj presidentit Gjorge Ivanov pas vendimit për të mos dekretuar ligjin e gjuhëve, të miratuar për së dyti nga parlamenti të mërkurën mes tensionesh. Për Zaevin, zyrtarizimi i përdorimit të gjuhës shqipe përmbush marrëveshjen e Ohrit.

“Më vjen keq që presidenti vendosi të shkelë kushtetutën dhe të mos e dekretojë ligjin për së dyti. Për mua kjo është burracakëri. Institucionet nuk duhet ta lejojnë që kjo të ndodhë. Zbatimi i këtij ligji plotëson detyrimin e fundit që rrjedh nga marrëveshja e Ohrit”.

Kryeministri Zaev kërkoi që për ligjin e gjuhëve të merret opinioni i Gjykatës Kushtetuese por edhe Komisionit të Venecias lidhur me përputhshmërinë e tij me standardet europiane, siç propozoi edhe Komisioni Europian. Deklaratat, Zaev i bëri gjatë një komunikimi me mediat pas përfundimit të Forumit për Sundimin e Ligjit në Europën Juglindore me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Brukselit.

Ligji i gjuhëve u miratua për herë të dytë të mërkurën me 64 vota, në një seancë që u bojkotua nga partia opozitare VMRO-DPMNE. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski tentoi të shkaktonte përplasje fizike me kryeparlamentarin Talat Xhaferi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat