RYCO - proces mundësie për të rinjtë në Maqedoni

Maqedonia

RYCO - proces mundësie për të rinjtë në Maqedoni

Më: 20 mars 2018 Në ora: 14:15

Zyra rajonale për bashkëpunim rinor të Ballkanit Perëndimor (RYCO) praktikisht është bashkëpunimi i parë institucional mes Maqedonisë, Serbisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnja e Hercegovinës, që është destinuar për mobilitet më të madh të të rinjve, me qëllim që të mësojnë për zgjidhjen e problemeve në vendet e tyre, si dhe për prezantimin e përparimit të tyre.

Përfaqësuesi i Zyrës rinore lokale të RYCO-s për Republikën e Maqedonisë, Albert Hani për MIA-n thotë se zyra rajonale është prodhim i Procesit berlinas veçmë të njohur, ku të gjitha shtetet në Evropë dhe në Bashkimin Evropian vendosin fokus më të madh drejt zhvillimit të standarteve dhe përmirësimit të mirëqenies në rajon përmes afrimit të të rinjve.

Drejtori i Agjencisë të Rinisë dhe Sportit, Darko Kaevski, thekson se të rinjtë në Republikën e Maqedonisë duhet në mënyrë më aktive dhe më konkrete të përfshihen në  procesin RYCO,  sepse vendi paguan mjete direkte nga buxheti, si kontribut për funksionimin e Zyrës, ndërsa pastaj mjetet e përbashkëta të RYCO-s shërbejnë për ndarjen e granteve për projekte.

Maqedonia ka destinuar 138.000 euro për buxhetin e përbashkët të RYCO-s, i cili arrin rreth një milion euro. Ne si vend planifikojmë përmes granteve të marrim pothuajse dyfish më shumë nga paratë të cilat i investuam", thotë Kaevski për MIA-n.

Ai potencoi se qëllimi i tyre është nga viti në vit ai fond të rritet.

"Për shkak se RYCO ishte cituar si një nga gjashtë prioritetet  e BE-së, plani është me përfshirje aktive të të rinjve, veçanërisht në procesin e sjelljes së vendimeve dhe në ndonjë mënyrë rrjetëzimin mes organizatave rinore në territorin e Ballkanit Perëndimor, të bëhen ndryshime të cilat nevojiten në shoqëri, me qëllim që të ngrihet edhe standardi rinor në Republikën e Maqedonisë", sqaroi drejtori i Agjencisë të Rinisë dhe Sportit.

Hani deklaroi se Zyra funksionon si fondacion i cili tani për tani do t'i mbështesë organizatat joqeveritare të cilat punojnë me të rinj, por edhe shkollat e mesme në të gjithë rajonin.

Përfaqësuesi i zyrës theksoi se të rinjtë në Maqedoni duhet të nxiten të përgatisin dhe dorëzojnë projekte, për shkak se në këtë mënyrë do të realizojnë komunikim me moshatarët e tyre në rajon dhe do të gjejnë zgjidhje që të zgjidhen problemet në vendin tonë.

"Sa është projekti më real, më interesant, konkret dhe adreson ndonjë problem të tyre që duhet të zgjidhet, aq më e madhe është mundësia që të aprovohet. Që të pranohet projekti është vendosur kusht që të ketë partnerë nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ajo që deri tani e kemi vërejtur është se Maqedonia është partner i dëshiruar në rajon dhe kjo është mundësi e mirë që të tregojmë se jo vetëm që mundemi të bashkëpunojmë, por edhe se mund të mësojmë, madje edhe të transmetojmë ndonjë dituri", konstatoi Hani.

Ai theksoi se së shpejti në Maqedoni do të hapet zyrë lokale për RIKO-n, ku të gjithë të cilët dëshirojnë të aplikojnë për projekte do të mund të konsultohen për të gjithë hollësitë dhe t'u ofrohet ndihma e nevojshme për realizim. Gjithashtu, do të mund të marrin edhe informata për temat për të cilat duhet t'i përgatisin projektet.

"Nga thirrja e fundit identifikuam dy tema, njëra është pjesëmarrja aktive në sjelljen e vendimeve dhe inkluzioni social, ndërsa tjetra është dialogu ndërkulturor", theksoi Hani.

Kaevski theksoi se konferenca kushtuar RIKO procesit, që fillon sot, ndërsa do të zgjasë deri më 22 mars, pritet që të gjithë përfaqësues dhe persona të rinj të cilët kanë lidhje të drejtpërdrejt me punën e të rinjve të japin kontribut për zhvillim të ideve, si dhe kontribut ndaj mënyrave dhe temave për problemet në rajon.

"Ata duhet të identifikojnë dhe të japin drejtim të nivelit politik për atë se si ne duhet të punojmë. Në këtë konferencë do të bisedohet dhe do të bëhet plan aksional", deklaroi drejtori i Agjencisë të Rinisë dhe Sportit.

Hani theksoi se ajo që deri më tani është vërejtur tek të rinjtë është se ata dëshirojnë t'i zgjedhin problemet në rajon nëpërmjet përdorimit të teknologjive më të reja, si dhe përmes sportit, artit dhe fotografisë. 

"Kjo është mundësi e shkëlqyeshme për organizatat joqeveritare, por edhe më shumë për shkollat e mesme të cilat deri më tani nuk kanë pasur mundësi të shoqërohen me të rinjtë nga rajoni", theksoi Hani.

Kaevski potencoi se vijon një vit ku theksi do të vendoset tek të rinjtë, duke theksuar se buxheti për të rinjtë, në kuadër të Agjencisë të Rinisë dhe Sportit për këtë vit është nëntë herë më i madh se viti i kaluar.

"Agjencia e Rinisë dhe Sportit dhe Qeveria e Maqedonisë kanë përgatitur masa me të cilat do të ulet papunësia e të rinjve në vend dhe do të kenë për qëllim të pengojnë largimin e të rinjve nga vendi, që vazhdimisht ndodh me të rinjtë në Maqedoni", konkludoi drejtori i Agjencisë të Rinisë dhe Sportit.

Masat, paralele me procesin e RYCO, do të shërbejnë për avancimin e cilësisë të jetës së të rinjve në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat