Ligji për përdorimin e gjuhëve, Fiti: E drejtë e komuniteteve për të kërkuar avancim

Maqedonia

Ligji për përdorimin e gjuhëve, Fiti: E drejtë e komuniteteve për të kërkuar avancim

Më: 20 mars 2018 Në ora: 18:42
Taki Fiti

Çdo bashkësi etnike në Maqedoni ka të drejtë të kërkojë avancimin e përdorimit të gjuhës së tyre.

Ky është qëndrimi i kryesisë së ASHAM-it lidhur me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, që e shpalosi kreu i këtij institucioni Taki Fiti. Ai nuk mendon se ligji përbën kërcënim për vendin teksa tha se më me rëndësi është stabiliteti politik në vend. Sipas tij çështjet senzitive dhe sidomos marrëdhëniet ndëretnike duhet të negociuar me qetësi.

 “Absolutisht çdo bashkësi që jeton në Maqedoni ka të drejtë legjitime të kërkojë avancimin e përdorimit të gjuhëve të tyre dhe kjo vlen edhe për bashkësinë shqiptare dhe të gjitha bashkësitë tjera që jetojnë në hapësirat e Maqedonisë. Për këto çështje duhet negociuar në një atmosferë të qetë me tolerancë të ndërsjellë midis të gjithë aktorëve politikë, me mirëkuptim të ndërsjellëë dhe respekt dhe patjetër të miratohen vendimet pa imponime, nënçmime dhe kushtëzime nga cilado palë qoftë”,- theksoi kreytari i AShAAM, Taki Fiti.
 
Për akademiken, Katica Çullavkova, ligji revidon statusin e gjuhës maqedonase.
 
“Ligji i ri i cili akoma është në procedurë e revidon statusin e gjuhës maqedonase të parashikuar me kushtetutë, shkakton situata me të cilën kërcënohet e drejta dhe obligimi i çdo shtetasi të Maqedonisë pavarësisht nga përkatësia etnike ta shfrytëzojë gjuhën maqedonase sepse gjuha e çdo minoriteti prej 20% do të imponohej si e ngritur në hierarki”,- u shpreh akademikja, Katica Çullavkova.
 
Ndryshe nga Çullavkova, akademiku, Izet Zeqiri, mendon se ligji nuk paraqet kërcënim për vendin. Sipas tij, Ligji është vetëm një zbërthim i MO-së dhe amendamentit të pestë dhe nenin 7 të kushtetutës.
 
“Një avancim kemi në përdorimin e gjuhës shqipe që aspak nuk e rrezikon karakterin unitar, pasi që gjuha shqipe nuk do të jetë e barabartë me gjuhën maqedonase, pavarësisht mënyrës se si partitë politike i krijuan obstruksion sjelljes së Ligjit të gjuhës shqipe, ai duhet të hyjë në fuqi dhe pavarësisht refuzimit të kryetari të shtetit i cili ka obligim në harmoni me  nenin 75 të kushtetutës, ta nënshkruajë pas miratimit të tretë”,- tha akademiku, Izet Zeqiri.
 
Sipas Zeqirit, tani duhet fokusuar në implementimin e ligjit duke u bazuar në praktikat e vendet e tjera. Këto qëndrime akademikët i shpalosën gjatë mbledhjes së rregullt vjetore të AShAM-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat