Jep dorëheqje ministri i drejtësisë, arsyeja rasti ‘Almiri’

Maqedonia

Jep dorëheqje ministri i drejtësisë, arsyeja rasti ‘Almiri’

Më: 20 mars 2018 Në ora: 20:39
Bilen Saliji

Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë, Bilent Saliu, ka dhënë dorëheqje nga posti për arsye morale, pas vendimit të Prokurorisë dhe Gjykatës së Kumanovës për rikualifikimin e një vepre nga “vrasje me paramendim” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.

“Për shkak të lëkundjes së besimit në gjyqësor në rastin e vogëlushit Almir Aliu, unë si i pari i drejtësisë në vend, ndjej obligim moral të jap dorëheqje nga posti i ministrit të Drejtësisë, si akt që besoj se do të jetë sensibilizues edhe më i madh i vëmendjes së institucioneve dhe i gjithë shoqërisë në luftën e pakompromis për reforma në gjyqësor”, ka deklaruar Saliu, i cili në postin e ministrit ishte caktuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Bëhet fjalë për vrasjen e një fëmije 4-vjeçar, Almir Aliu, më 25 qershor të vitit 2016, që i kishte paraprirë një zënke banale mes autorit të krimit dhe familjarëve të viktimës.

Pas rrahjes mes tyre pranë urgjencës së qytetit, autori i veprës, Boban Iliq, kishte goditur me makinën e tij fëmijën, i cili kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Kjo vepër ka nxitur reagime të shumta në opinionin shqiptar, i cili kërkon dënimin me “vrasje” të autorit.

Reagimet janë përshkallëzuar pas vendimit të Prokurorisë që pas një viti të seancave gjyqësore të ndryshojë kualifikimin e veprës në “aksident” trafiku.

Përplasjet kanë vazhduar edhe në Prokurorinë e Lartë dhe atë Republikane, ku ka pasur ndasi etnike mes prokurorëve shqiptarë dhe maqedonas.

Në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për rikualifikimin e rastit, të mërkurën para qeverisë janë paralajmëruar protesta me moton “Pranvera pa Drejtësi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat