Zaev: Presim intensifikim të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike

Maqedonia

Zaev: Presim intensifikim të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike

Më: 2 prill 2018 Në ora: 19:35
Zoran Zaev

Maqedonia është në fazë të rritjes ekonomike. Sivjet presim intensifikim të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike. Nga stabiliteti politik dhe nga politikat për kthimin e besimit tek investitorët pritet rritje e investimeve private, theksoi kryeministri Zoran Zaev sot në fjalimin e tij në Konferencën e parë vjetore të Ministrisë së Financave “2 Prilli – Dita e Buxhetit”.

“Rritja e pagave dhe punësimet në sektorin privat, të mbështetura nga masat qeveritare, të përcjella me pritje për inflacion të ulët dhe stabil në vend, do të kontribuojnë drejt rritjes së konsumit privat”, tha kryeministri.

Më tej, shtoi ai, eksporti i vazhdueshëm solid nga kapacitetet e reja prodhuese, si dhe rikuperimi i sektorëve tradicionalë eksportues si rezultat i aktivitetit të përforcuar ekonomik të vendeve partnere tregtare, do të kontribuojnë për rritjen e eksportit të Maqedonisë dhe shfrytëzimin më të madh të kapaciteteve industriale.

“Në pajtim me pritjet për lëvizjen e konsumit vendor vitin e ardhshëm, si dhe parashikimet për mjedisin ekonomik ndërkombëtare, presim se projeksioni për rritjen reale të BPV-së në vitin 2018 do të arrijë 3,2 për qind që është në pajtim me shumicën e projeksioneve të institucioneve relevante ndërkombëtare dhe vendore”, potencoi kryeministri.

Paralajmëroi se zgjidhja përfundimtare për atë nëse do të vendoset tatim progresiv, do të mund të jetë javën e ardhshme edhe pse bëhet fjalë për numër jo shumë të madh personash me të ardhura mbi një mijë euro, shuma që mblidhet është serioze dhe mjete mund të orientohen për nevoja tjera.

“Do të synojmë edhe më tej që buxheti të sigurojë kushte për lëvizje reale të ekonomisë, përmes investimeve më të larta kapitale dhe mbështetje serioze shtetërore përmes investimeve të reja dhe rritjes së eksportit”, tha Zaev.

Aktivitetet e Qeverisë në politikat buxhetore, sipas kryeministrit, janë krijimi i kushteve për vende të reja të punës dhe paga më të larta, investime në arsim, shëndetësi, ndihmë për të gjithë qytetarët të cilëve kjo u është e nevojshme, përafrim i standardeve të qytetarëve deri tek ato të BE-së dhe NATO-s, shkurtim i shpenzimeve joproduktive…

“Aktiviteti ekonomik prej kur erdhi kjo Qeveri në pushtet, shënon shkallë pozitive, kemi trende pozitive në fillim të këtij viti , rritje të lartë të prodhimtarisë industriale. Rezultat konkret i këtyre trendeve është tejkalimi i pragut prej 24.000 denarëve të pagës mesatare, pjesërisht kjo është falë edhe rritjes së pagës minimale që kjo Qeveri e zbatoi”, tha Zaev.

Përcaktimi ynë që të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe ndaj atyre parimeve e krijojmë dhe e zbatojmë buxhetin.

Kryeministri theksoi se mbetet në angazhimet për llogaridhënie dhe transparencë, e cila është fundamentale kur bëhet fjalë për përgjegjësinë e Qeverisë para qytetarëve.

“Pyetjet e qytetarëve janë legjitime dhe duhet të presim të na parashtrohen”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo Qeveri mbetet në qëndrimin që paratë t’u kthehen qytetarëve dhe ekonomisë pasi paraprakisht të injektohen në projekte për ekonominë e Maqedonisë dhe për jetë më të mirë dhe për shëndetin e qytetarëve.

Drejtporesha rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor të Bankës Botërore, Linda Van Gelder tha se në këtë moment me Qeverinë e Maqedonisë bisedohet për prioritetet e mundhsme që ajo i ka në sferat për menaxhimin efektiv financiar, por edhe me zhvillimin ekonomik në kuptimin më të gjerë.

Ministri i Financave Dragan Tevdovski potencoi se lidhur me nevojat buxhetore, Maqedonia nuk duhet të mendojë në afat të shkurtë – prej vitit në vit. Për këtë shkak këtë konferencë Ministria ua përkushton çështjeve, zgjidhja e të cilave varet nga stabiliteti afatgjatë dhe ardhmëria e Maqedonisë.

“A duhet Maqedonia të jetë vendi me të ardhura më të ulëta buxhetore lidhur me BPV në Evropë? Ose megjithatë duhet të ndërmerren masa, të cilat do t’i përmirësojnë të ardhurat të Buxhet? Nëse vendosja e tatimit të drejtë në Maqedoni do të paraqiste problem, nëse dihet se SHBA-ja dhe vendet nga BE-ja kanë tatimim progresiv te tatimi personal, ndërsa vetëm ish vendet socialiste nga Evropa kanë vendosur tatim të sheshtë. E madje edhe ato me përmirësimin e institucioneve filluan tatimin e sheshtë ta zëvendësojnë  me atë progresiv”, tha Tevdovski. Si shembull e potencoi Shqipënë, e cila në vitin 2014 vendosi tatim progresiv me dy shkallë 13 për qind dhe 23 për qind.

“A ka nevojë me vazhdimin e politikave populiste nga e kaluara ose duhet të ndërmerren masa, të cilat do mbajnë kujdes për njerëzit të cilët sot punojnë të kenë pensione korrekte në të ardhmen”, pyeti ministri.

Ministria e Financave, tha se Tevdovski, ka Strategji për reforma në sistemin për financa publike e cila i përfshin periudhën nga viti 2018 e deri në 2021 i përmban elementet e rëndësishme të sistemit, duke filluar nga transparenca fiskale, përmes vendosjes së buxhetimit afatmesëm dhe ndryshime në sistemin e furnizimeve publike, e deri në përmirësimin e funksionimit të kontrollit të brendshëm financiar publik, DAP dhe Dogana.

“Qëllimi i saj është përmirësim afatmesëm i sistemit të  financave publike në drejtim të standardeve të BE-së”, tha ministri Tevedovski.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi, në konferencën e parë në suaza të Ditës së Buxhetit tha se nuk do të lejojë në Kuvend të ndodhin ngjarje si ajo më 24 dhjetor të vitit 2012 e cila ishte e lidhur drejtpërdrejt me miratimin e buxhetit, as ndërkaq si dhuna që ndodhi për 27 prill.

“Besoj se të gjithë ne  morëm mësime nga këto ngjarje, gjegjësisht e mësuam leksionin historik se me dhunë nuk ndërtohet as demokracia, as institucionet funksionale”, tha Xhaferi.

Duke folur për rolin e Kuvendit gjatë miratimit të buxhetit, theksoi se nga aspekti normativ Maqedonia nuk është edhe aq keq dhe se ekzistojnë mekanizma për kontroll të shpenzimit të parave.

“Megjithatë, mbetet e hapur çështja, sa si Kuvend i shfrytëzojmë në mënyrë efikase këto mundësi ligjore dhe të rregullores për kontroll, si mbi grumbullimit, ashtu edhe mbi shpenzimin e parave të qytetarëve. Nëse duam të jemi kritikë dhe objektivë, atëherë duhet të pranojmë se ne mbesim mbrapa nga ajo që është praktikë e  zakonshme në vendet e zhvilluara demokratike”, tha Xhaferi.

Sipas tij, edhe te shumica parlamentare edhe te opozita, ka ndryshime pozitive në kuptimin dhe praktikimin e rolit të Kuvendit gjatë miratimit të buxhetit, por gjithashtu edhe lidhur me rolin mbikëqyrës mbi shpenzimin e parave të popullit.

“Gjegjësisht, shumica parlamentare nuk dëshiron të jetë vetëm makinë e votimit, por dëshiron me argumente të debatojë për buxhetin, pavarësisht vi-za-vi pushteti ekzekutiv. Qasje të këtillë, të pavarur, kritike, por edhe përgjegjëse, pres edhe nga opozita”, tha Xhaferi.

Nga konferenca e parë për Ditën e Buxhetit, e cila mbahet 26 vjet pas miratimit të Buxhetit të parë në Maqedoninë e pavarur, morën pjesë edhe ish-ministra, profesorë nga fakultetet ekonomike, biznesmenë dhe të tjerë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat