Filloi seanca për mosbesimin e Qeverisë së Maqedonisë, përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

Maqedonia

Filloi seanca për mosbesimin e Qeverisë së Maqedonisë, përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

Më: 11 prill 2018 Në ora: 12:46
Kuvendin e Maqedonisë

Në Kuvendin e Maqedonisë ka filluar seanca e 42-të, në të cilën pikë e vetme e rendit të ditës është çështja e mosbesimit të Qeverisë që e ka dorëzuar grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së.

Në fillim të seancës deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Danev e ka sqaruar kërkesën për rrëzimin e Qeverisë. Sipas tij, Qeveria është jo-demokratike, jo e aftë, nuk punon dhe më kriminale në historinë e Maqedonisë.

“Atë nuk e flas unë dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së por edhe qytetarët e Republikës ë Maqedonisë. Kjo qeveri ka treguar dhe dëshmuar se nuk ka kapacitet për udhëheqjen e institucioneve nga pushteti ekzekutiv. Në vend që t’i përveshni krahët dhe t’i zgjidhni problemet e qytetarëve ju punoni vetëm për interesa partiak dhe personal”, tha Danev.

Pas tij, ka reaguar edhe deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev, i cili tha se është dëshpëruese se si VMRO-DPMNE e arsyeton kthimin e saj në Kuvend me interpelancë.

“Është dëshpëruese dhe jo-serioze që të arsyetoni kthimin tuaj në Kuvend. Në sqarimin e interpelancës shihet qartë se nuk ka objektivitet, por vetëm gënjeshtra. Në tërë interpelancën nuk ka asnjë kritikë kundër ministrave të BDI-së. Ju jeni të njëjtët deputetë që i dëgjuat “bombat”, ishit në natën e përgjakshme të 27 prillit. Vetëm gënjeshtra, asgjë tjetër”, tha Tuntev.

Diskutimi në këtë temë duhet që të zgjatë deri në mesnatë, kur të bëhet dhe votimi. Nëse eventualisht votohet për mosbesimin e kabinetit të Zoran Zaevit, VMRO-DPMNE duhet të sigurojë 61 vota. Me diskutimin për interpelancën e Qeverisë, opozita kthehet në punën e Kuvendit, pas afër pesë muaj bojkot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat