Debarcë, protesta kundër deponisë rajonale

Maqedonia

Debarcë, protesta kundër deponisë rajonale

Më: 13 prill 2018 Në ora: 15:12
Ilustrim

Autoritetet lokale dhe Këshilli i Komunës së Debërcës nuk e pranojnë vendimin e qeverisë dhe nuk e miratojnë ndërtimin e një deponie rajonale në territorin e tyre. Ata gjithashtu kundërshtojnë vendimin për transferimin e kompetencave të çështjes tek autoritetet qendrore të shtetit. Nga komuna këmbëngulin në respektimin e vullnetit të shumicës së qytetarëve që votuan në dhjetor të vitit të kaluar në referendum kundër ndërtimit të një deponie, në territorin e komunës së tyre. Shteti ka në plan të transferojë mbeturinat nga Struga, Ohri, Dibra dhe Kërçova. Ndërsa banorët e zonës paralajmëruan protesta masive më 22 prill.

"Te qytetarët e Debërcës me të drejtë ekziston një frikë. Sepse duhet pasur parasysh se ai që do të operojë nesër me atë deponi, atij do ti interesojë përfitimi dhe sa më shumë mbeturina të përpunohen. Këtu, mbeturinat do të vijnë jo vetëm nga ato nëntë komuna, por ndoshta edhe nga komunat e tjera, dhe ajo nga e cila kanë më shumë frikë qytetarët është se do të ketë mbeturina edhe nga Bashkimi Evropian përmes Shqipërisë. Këtu nuk kemi garanci se kjo do të kontrollohet", deklaroi Zoran Nogaçeski – kryetar i komunës së Debërcës.

Nga komuna e Debërcës i bëjnë thirrje ministrit të Ekologjisë, Sadulla Duraku, që të heqë dorë nga vendimi për deponinë. Ndërkohë, aktivistët qytetarë në Strugë nuk janë shumë optimist se do të ketë një zgjidhje të plotë për problemin dhe me deponinë e Strugës.

Më 23 prill, mbaron shpallja e publikuar nga komuna e Strugës me të cilën kërkohet një kompani e cila në vendin aktual do të ndërtojë një stacion ringarkimi për mbetjet komunale. Pas selektimit dhe përpunimit të tij, ai duhet të dërgohet në deponinë e Drisllës në Shkup.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat