Kompanitë vendore s’bashkëpunojnë me investitorët e huaj

Maqedonia

Kompanitë vendore s’bashkëpunojnë me investitorët e huaj

Më: 20 prill 2018 Në ora: 17:41
Pamje nga takimi

Çmimet e larta, cilësia e dobët. Kompanitë vendore nuk janë konkurrente për të qenë furnizues për investitorët e huaj. Problem është teknologjia e vjetruar dhe mungesa e kuadrove përkatëse, tregon anketa e realizuar me investitorët e huaj që punojnë në vend. Bashkëpunimi i tyre me furnizuesit lokal është nën 1%. Kompanitë e huaja që punojnë në vend shprehen se biznesit vendor i nevojitet një edukim më i madh dhe shumë punë për të hyrë në zinxhirin e furnizuesve.

"Mos pritni që bashkëpunimi të vjen në zyrën tuaj dhe të troket në derë. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Duhet doemos të dilni jashtë në rrugë, të bisedoni, vendosni kontakte me ata që janë kompetent për bashkëpunim, ofroni produktet dhe shërbimet tuaja, reklamoni ato dhe bisedoni me ta", tha Shtefan Piter, kryetar i këshillit të investitorëve të huaj.

Anketa ka treguar se kompanitë vendore janë jo konkurrente dhe nuk i kanë standardet e nevojshme, për çka duhet të intervenohet përmes trajnimeve në pjesën e organizimit.

"Nuk mund të kënaqemi vetëm me afërsinë dhe me çmimin e ulët të fuqisë punëtore. Këto nuk mjaftojnë për të siguruar çmim përkatës të produkteve tona në raport me investimet e drejtpërdrejta të huaja. Një pjesë e tyre mbeten jo konkurrente për investimet e huaja", u shpreh Robert Minovski, profesor i fakultetit të makinerisë.

Sipas zv/kryeministrit Koço Angjushev, problem i madh për rritjen e bashkëpunimit është fakti se fabrikat që punojnë në zonat edhe vetë janë furnizuese për kompanitë multinacionale për çka duhet të përmbushen standarde të posaçme. Sipas tij, me masat nga Plani për rritje ekonomike që duhet të jetë operativ në maj, pritet të stimulohet bashkëpunimi i tyre me biznesin lokal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat