Bekteshi: Përfunduan mjetet për subvencionimin e dritareve PVC dhe kolektorëve diellorë

Maqedonia

Bekteshi: Përfunduan mjetet për subvencionimin e dritareve PVC dhe kolektorëve diellorë

Më: 20 prill 2018 Në ora: 21:12
Kreshnik Bekteshi

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot zhvilloi konferencë për media ku prezantoi rrjedhën e realizimit të masave nga Programi për promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe nxitjen e efikasitetit energjetik në amvisëritë për 2018. Ministri Bekteshi tha se këtë vit Ministria e Ekonomisë ka ndarë 50 milionë denarë, apo 800 mijë euro, vetëm për tre masa që ndihmojnë drejtpërdrejtë ekonomitë familjare, dhe atë me 500 euro subvencion për blerjen e dritareve PVC apo të aluminit, 500 euro për familjet që kanë blerë shporetë me peletë dhe nga 300 euro për  blerjen dhe montimin e sistemeve të kolektorëve diellorë.

Si ministër përgjegjës për çështjet ekonomike, tha Bekteshi një nga prioritetet kryesore që kam është   përmirësimi i cilësisë së jetesës së qytetarëve, promovimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, promovimin e efikasitetit  energjetik, me qëllim që sa më shumë të kursehen buxhetet e familjeve.

‘Krahas masës për subvencionimin e shporetëve me peletë, për të cilën masë ndamë 14 milion denarë, e cila  u shpall e para dhe zgjoi interes të madh në mesin e qytetarëve,  Ministria e Ekonomisë më 30 mars shpalli edhe thirrjen publike për subvencionimin e blerjes së dritareve PVC dhe për sistemet e kolektorëve diellorë. Për zbatimin e këtyre masave kemi siguruar mjete në shumë prej 36 milion denarë, ndërsa ndarja e kompenzimit u bë sipas parimit “I pari vjen-i pari shërbehesh” deri në shterimin e plotë të mjeteve  të parapara për këtë qëllim, gjë që ndodhi në kohë rekord’ tha Bekteshi.

Aplikimi për këto dy masa, shtoi ministri Bekteshi ka ecur me dinamikë të shpejtë dhe deri më sot, për subvencione për blerjen e dritareve PVC ose alumini për familje,  numri i kërkesave që kanë arritur në Ministrinë e Ekonomisë është 1400, ndërsa për masën e dytë janë dorëzuar më shumë se 900  kërkesa, që do të thotë se mjetet për këtë qëllim tashmë janë harxhuar dhe komisionet tanimë kanë filluar të shqyrtojnë kërkesat e pranuara në lidhje me përmbushjen e kushteve të kërkuara.

Ministri Bekteshi tha se për shkak të interesimit të madh, Ministria e Ekonomisë do të kërkojë mjete shtesë me ribalancin e pare të buxhetit, ndërsa pas përfundimit të punës së komisioneve, që shqyrtojnë aplikacionet, në faqen elektronike të saj do të publikojë listat e aplikuesve që kanë të drejtë të subvencionimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat