Seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, DioGuardi: Arritja e barazisë etnike në Maqedoni është në rrezik

Maqedonia

Seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, DioGuardi: Arritja e barazisë etnike në Maqedoni është në rrezik

Më: 21 prill 2018 Në ora: 06:15
Kongresi amerikan

Ballkani Perëndimor ishte sërish në qendër të diskutimeve në Kongresin amerikan. Nënkomiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e SHBA-së mbajti një seancë dëgjimore. Ndonëse tema kishte të bënte kryesisht me debatet mbi arritjet e Marrëveshjes së Dejtonit në qëndrueshmërinë e Bosnje-Hercegovinës, të drejtat e shqiptarëve në Ballkan, sidomos të atyre në Maqedoni, u kthyen shumë shpejt në qendër të vëmendjes.

Ishte Shirley Cloyes DioGuardi, ekspertja e çështjeve ballkanike ajo që solli në sallë përpara kongresmenëve të pranishëm faktin se si shqiptarët në Maqedoni, ndonëse janë në numër të madh si komunitet, me rreth 30 deri në 40 për qind të popullatës së përgjithshme, ende nuk gëzojnë të drejta të plota, siç është ajo e përdorimit të gjuhës, apo trajtimit si qytetarë jo të dorës së dytë. Duke vënë theksin te paefektshmëria e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila zgjidhi luftën në Bosnje por nuk arriti të zgjidhë konfliktin në Ballkan, zonja Cloyes DioGuardi shprehu qëndrimin se SHBA duhet me patjetër që të fokusohet së pari në çështjen e Maqedonisë.

“Maqedonia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë grup etnik nuk ka shumicë të vërtetë. Por dështimi i vazhdueshëm për të respektuar të drejtat e njeriut dhe ato civile për të gjitha këto grupe etnike në Maqedoni, solli edhe konfliktin e armatosur të vitit 2001. Për t’i dhënë fund këtij konflikti, Bashkimi Europian dhe SHBA hyri në negociata me maqedonasit dhe shqiptarët gjë që çoi në Marrëveshjen e Ohrit. Kjo marrëveshje supozohej që të sillte përfaqësim të barabartë të të gjitha grupeve kombëtare në administratën shtetërore, si dhe shpërndarje të barabartë të burimeve ekonomike. 17 vite më vonë, dispozitat që kanë të bëjnë me drejtësinë, përforcimin e shtetit ligjor, ushtrinë, shërbimin inteligjent, së bashku me decentralizimin fiskal, mbeten ende për t’u zbatuar.”, tha zonja Cloyes DioGuardi në dëshminë e saj si pjesë e panelit përpara kongresmenëve amerikanë.

Duke shpjeguar historikun e votimeve në Parlament për miratimin e gjuhës shqipe, si dhe platformën e shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë se: “Edhe një herë, arritja e barazisë etnike në Maqedoni është në rrezik. Në janar të vitit 2018, Parlamenti i Maqedonisë miratoi dy herë ligjin që e bën gjuhën shqipe gjuhë të dytë zyrtare, sipas marrëveshjes së arritur mes partisë LSDM të kryeministrit Zoran Zaev dhe partive shqiptare. Megjithatë, Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov vendosi veton në të dyja rastet, duke pretenduar se miratimi i një gjuhe të dytë zyrtare do të kërcënonte sovranitetin e Maqedonisë, unitetin dhe integritetin territorial të saj. Kushtetuta e Maqedonisë sanksionon kalimin e ligjit me dy të tretat e votave në Parlament, gjë që ende nuk ka ndodhur. Çështja e dytë më e rëndësishme e platformës së shqiptarëve është decentralizimi i buxhetit fiskal. Dhënia fund e diskriminimit ndaj shqiptarëve, duke u garantuar mundësi të njëjta ekonomike dhe mundësi rritjeje sociale zonave me shumicë shqiptare, do të çojë në një reduktim të ndjeshëm të mundësisë për një konflikt në të ardhmen. Çështja është nëse SHBA dhe Bashkimi Europian do të ndërhyjnë për të negociuar një plan për arritjen e barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve përpara se Maqedonia të pranohet në NATO.”

Zonja Shirley Cloyes DioGuardi përmendi edhe pabarazinë që vuajnë shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë a të tretë nga Beogradi, si dhe theksoi se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon, rreziku për konlfikte të reja që lindi që prej moszgjidhjes së këtyre çështjeve nga Marrëveshja e Dejtonit, ku nuk u përfshinë shqiptarët, mbetet ende i pranishëm në Ballkanin Perëndimor.

Më herët dëshmoi para ligjvënësve zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit në detyrë, Metju Palmer, i cili u fokusua më shumë në integrimin e Bosnjes në Komunitetin Perëndimor, si një partner i fortë në luftën kundër terrorizmit, që do të ndihmonte në një Amerikë më të sigurt dhe që do të ndihmonte në qëndrueshmërinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Palmer theksoi se SHBA duhet të ndihmojë në reformat e nevojshme në mënyrë që të zbrapset ndikimi keqdashës i Rusisë në Ballkan, si dhe kërcënime të tjera të jashtme.

Image
Joe DioGuardi

Pas seancës dëgjimore, ish-kongresisti Joe DioGuardi, kryetar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane theksoi rëndësinë e këtij diskutimi dhe zhvendosjen e vëmendjes nga Bosnja në veçanti, në çështjen shqiptare, veçanërisht të asaj në Maqedoni. 

“Në të tilla raste, është me shumë rëndësi që Kongresi të informohet. Informacioni është shumë i rëndësishëm. Shirley ishte e vetmja që solli në vëmendje që Marrëveshja e Dejtonit që nuk lejoi që shqiptarët të ishin pjesë e tryezës së bisedimeve. Kjo sepse Millosheviçi ia vendosi si kusht negociatorit Riçard Hollbruk. Pra, në të tilla raste, siç ishte edhe ky rast i kësaj seance dëgjimore që u mbajt për Bosnjen, duhet të shfrytëzosh rastin. Dhe unë në fakt këtë bëra. Kur dëgjova se do të mbahet kjo seancë i telefonova drejtuesit të saj, kryetarit të Nënkomitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresistit Dana Rohrabacher që pjesë e diskutimeve të ishte edhe Kosova dhe Maqedonia”, u shpreh për DioGuardi.

Të pranishëm në këtë seancë ishin edhe shqiptaro-amerikanë, me origjinë nga trevat shqiptare në Maqedoni, të cilët kanë dhënë ndër dhjetëra vite kontributin e tyre të rëndësishëm për çështjen kombëtare, si pjesë e diasporës në SHBA. Këtë herë, teksa i dëgjon të flasin, vë re se sipas tyre kupa është mbushur dhe nëse nuk do të ketë një ndryshim gjithëpërfshirës të qasjes së maqedonasve ndaj shqiptarëve nisja e një konflikti të ri është e pashmangshme.

“Shqiptarët duhet të bashkohen për të kërkuar barazi të plotë në Maqedoni. Unë mendoj që mjaft është mjaft tashmë. Ne jemi në vendin tonë. Jemi autoktonë brez pas brezi. Duhet t’i mësojmë edhe të tjerët që të binden për këtë ose përndryshe ne shqiptarët duhet të marrim një kah tjetër, që do të thotë, për të vendosur edhe vetë”, deklaroi Nazim Alimi.

“Jemi të shqetësuar sidomos për situatën në Maqedoni, ku shqiptarët edhe pas konfliktit të vitit 2001 mbeten peng i racizmit sllav të cilët nuk pranojnë barazi me shqiptarët. Edhe pse Marrëveshja e Ohrit u firmos në vitin 2001 ajo nuk u zbatua kurrë. Që nga ajo kohë shqiptarët kanë vuajtur diskriminimin dhe aferat korruptive dhe terroriste të organizuara nga vetë shteti maqedonas me përkrahjen e BDI-së të Ali Ahmetit, por që tani u zbardhën, siç është rasti i Sopotit apo Brodecit, por që mbetet për t’u zbardhur rasti i Kumanovës. Ne jemi këtu në Uashington sot që të lypim drejtësi dhe që të kemi një Maqedoni për të gjithë banorët e saj, jo shtet një nacional dhe ku shqiptarët diskreditohen. Pa barazi totale unë besoj se Maqedonia nuk do të ketë të ardhme”, tha veprimtari per Ina Ramazan Ajdini.

“Unë jetoj prej 40 vitesh në Amerikë dhe jam anëtar i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane e cila ka bërë një punë të mrekullueshme për çështjen shqiptare. Ne jemi këtu sepse kërkojmë nga SHBA dhe Bashkimi Europian që Maqedonia të mos pranohet në Europë gjersa shqiptarët të trajtohen në mënyrë të barabartë. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë shqiptarët duhet me patjetër të bashkohen me shtetin amë, Shqipërinë”, tha  Destan Aliu.

“Ne kemi ardhur këtu në Kongresin amerikan me lobin shqiptar që të mbrojmë kërkesat e vëllezërve dhe motrave tona shqiptare në Maqedoni të cilët diskriminohen dhe trajtohen si qytetare të klasës së tretë”, tha Mahmut Skënderi.

DioGuardi solli për të pranishmit në këtë seancë dëgjimore edhe një memorandum të firmosur nga disa intelektualë shqiptarë në Maqedoni, ku dy pikat kryesore kanë të bëjnë me ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë, ku të reflektohet realiteti i ri, me barazi mes shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe çështja e emrit ku jepen propozime për Republika e Shkupit; Republika Qëndrore e Ballkanit apo Republika Shumëetnike e Maqedonisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat