Javën e ardhshme raund i ri i bisedimeve për çështjen e emrit të Maqedonisë

Maqedonia

Javën e ardhshme raund i ri i bisedimeve për çështjen e emrit të Maqedonisë

Më: 22 prill 2018 Në ora: 18:58
Shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë

Shefat e diplomacisë së Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias, pritet të takohen sërish javën që vjen, në kuadër të negociatave të vazhdueshme mes dy ministrave, në kontekst të përpjekjeve për tejkalimin e dallimeve rreth emrit.

Siç njoftojnë mediat greke, dy ministrat pritet që të mërkurën (25 prill) të fluturojnë sërish në Vjenë, për një raund të ri të bisedimeve nën udhëheqje të ndërmjetësuesit të OKB-së, Matthew Nimetz.

Një ndër temat e bisedimeve, flitet të jetë edhe korniza kohore, për të cilën për herë të parë u fol në takimin e fundit mes dy ministrave në Ohër.

Greqia insiston se nuk mund të ketë marrëveshje mes palëve pa ndryshim të Kushtetutës së Maqedonisë, këtë së fundmi e ka përsëritur edhe zëvendësministri i Jashtëm grek, Jorgos Katragoulos, i cili ka theksuar se nuk bëhet fjalë për negociata të lehta dhe se kjo është ditur që në fillim.

Ndërkaq deklaratat e fundit të kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, kanë sjellë reagime të shumta në skenën politike në Greqi dhe përplasje të reja mes Qeverisë dhe opozitës greke.

Përveç takimit në fund të këtij muaji, Dimitrov dhe Kocias veç më kanë konfirmuar dy takime të radhës që do të ndodhin në fillim të muajit maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat