Paralajmërohen ndryshime në ligjin e akcizave

Maqedonia

Paralajmërohen ndryshime në ligjin e akcizave

Më: 25 prill 2018 Në ora: 18:20

Do të ndryshojë mënyra e përllogaritjes së akcizave gjatë importit të lëndëve djegëse. Këtë risi para biznesmenëve sot e paralajmëroi drejtori i Drejtorisë Doganore, Gjoko Tanasoski. Tashmë punohet në zgjidhje ligjore, por Tanasoski nuk sqaroi se për çfarë ndryshimesh ligjore bëhet fjalë dhe nëse kjo do të thotë se do të ketë rritje të akcizës te lëndët djegëse. Zëvendëskryeministri Koço Angjushev konfirmoi se kjo ka të bëjë vetëm me naftën.

"Nuk ka të bëjë me rrymën, meqë rryma edhe sot nuk ka akcizë, e as që do të ketë. Pra, para së gjithash, ka të bëjë me derivatet e naftës, ato i nënshtrohen akcizës, mirëpo është shumë herët të flasim për çfarëdo zgjidhje. Kjo punë është në diskutim", deklaroi  zëvendëskryeministëri Koço Angjushev.

Ndërkohë, grupi parlamentar i VMRO-DPMNE paralajmëroi se do të dorëzojë në Kuvend një propozim-ligj për uljen e akcizës për dizelin që Qeveria tashmë njëherë e rriti nga fillimi i vitit.

"Rritja e akcizës së dizelit për 3,5 denarë është goditje në xhepin e më të varfërve. Një qytetar i rëndomtë mesatarisht në muaj paguan 200 denarë plus. Gjegjësisht, në nivel vjetor vetëm për shkak të rritjes së akcizës qytetarët paguajnë 2400 denarë më tepër", Dragan Danev, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit i bëri thirrje Qeverisë që të bëjë ndryshime në politikën tatimore, veçanërisht në pjesën e akcizave. Nga partia për Ripërtëritje Demokratike të Maqedonisë nga ana tjetër, janë kategorikisht kundër kërkesës së paralajmëruar të opozitës për akcizë më të ulët për dizelit. Sipas tyre, çmimi më i lartë i këtij karburanti ka qenë nxitje për të ulur përdorimin e dizelit për mjedis më të pastër jetësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat