Këshilltarët e Zoran Zaevit, nevojë apo shpërblim për mbështetësit

Maqedonia

Këshilltarët e Zoran Zaevit, nevojë apo shpërblim për mbështetësit

Më: 13 maj 2018 Në ora: 15:20
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev

Kryeministri Zoran Zaev nuk duhet të imitojë paraardhësin e tij, Nikolla Gruevski apo të garojë nëse ai do të ketë numrin më të madh të këshilltarëve në ekzekutiv.

Kështu reagojnë ekspertët juridik dhe njohësit e çështjeve politike duke komentuar numrin e madh të këshilltarëve të kryeministrit, Zaev që për momentin ka arritur në 56 persona, të angazhuar si këshilltar të posaçëm dhe bashkëpunëtor të jashtë në fusha të ndryshme.

Kostoja e angazhimit të tyre nuk dihet pasi nga kabineti i kryeministrit thonë se përgjegjës për këtë është sektori për qasje tek informatat e karakterit publik, por nga ky sektor kanë një afat ligjore prej dy javësh që t'i përgjigjen interesimit të mediave mbi shpenzimet për këta persona të angazhuar në kabinetin e kryeministrit.

Albert Musliu nga organizata joqeveritare “Iniciativa Demokratike dhe njohës i çështjeve politike, thotë se kryeministri do të jetë ai që do të paguaj koston e një veprimi të tillë.

“Po, është prerogativë i kryeministrit të bëjë diçka të tillë, dhe ai për këtë mban përgjegjësi politike. Nëse krye mistri ka përfitime nga një veprim i këtillë ne do ta përshëndesin, por nëse nuk ka dhe del se kjo është një akt i marrë nga aspekti social, atëherë ai duhet a korrigjoj këtë pasi qeveria nuk është institucion social”, thotë Musliu.

Reagimet në opinion kanë të bëjnë me emrat e disa personave të angazhuar si ajo e Dragisha Miletiqit, si këshilltar për raportet ndëretnike, e Lube Boshkovskit, ish ministrit kontrovers të Punëve të Brendshme si këshilltar për investime apo ajo e Xhezair Shaqirit, ish komandat i UÇK-së si bashkëpunëtor i jashtëm për siguri dhe luftë kundër radikalizmit.

Por, pas kritikave të shumta në opinion, Kryeministri ka njoftuar se Shaqiri është tërhequr nga posti si bashkëpunëtor edhe pse kreu i qeverisë paraprakisht vendimin e kishte arsyetuar me përvojën e tij, por pa përjashtuar edhe arsyetimet e aspektit social.

“Ai është një nga qytetarët që iu bashku opozitës së atëhershme dhe bashkëpunonte me shumë aktivistë të Lidhjes Social-Demokrate...Unë nuk i ndajë qytetarët në Maqedoni dhe çdokush prej tyre mund të jep kontributin në kuadër të projektit tonë “Një shoqëri për të gjithë”... Besoj se Shaqiri mund të jep kontributin e tij në sferën ku është caktuar.. Punon për një pagë me të cilën besoj se do të ushqej familjen e tij të shtrenjtë. Ata janë qytetar të Maqedoni dhe këtu kemi parasysh edhe aspektin social”, ka deklaruar kryeministri Zaev kur kishte arsyetuar emërimin për këshilltar të Xhezair Shaqirit.

Ky i fundit në rrjetet sociale kishte bërë të ditur se kishte një marrëveshje me kryeministrin që ai ti jep një post ndërsa ky të zbres nga zona problematiket e Tanushës në malësinë e Shkupit.

“Pasi fitoi Zaevi bëmë një marrëveshje politike që të unë ta liroj Tanushën dhe ai të me jep një post afër tij si garanci për sigurinë time. Ne fakt, Zaevi ka bërë një matematikë, ose të sulmon me forca Tanushën dhe komandant Hoxhën me pasoja, ose ta afroj afër që mos të ketë probleme. Me një fjalë, më mirë afër sysh për Zaevin të jetë komandat Hoxha se sa larg dhe me probleme”, kishte shkruar Shaqiri në Facebook.

Sipas ekspertëve, shikuar nga këndvështrimi juridik nuk ka asgjë kontestuese në emërimin e këtyre personave për këshilltar, por kryeministri sipas tyre duhet të mbajë llogari për punë tjera, si numrin e madh të tyre dhe para se gjitha kualitetin.

“Vlerësoj se numri i këshilltarëve i tejkalon nevojat. Veç kësaj ne nuk dimë as kriteret në baza të të cilave janë emëruar këta njerëz dhe këtu hapen dy dilema se a duhet të bisedojmë për nevojën apo kualitetin e tyre. Nëse këta njerëz do të ishin caktuar në këto pozita në bazë të kritereve apo përgatitjes së tyre profesionale, atëherë numri i madh mund edhe të mos jetë problematik".

"Por, duke marrë parasysh karakterin kontrovers të shumë prej tyre, atëherë shtrohet pyetja nëse ata janë aty për të këshilluar apo nëse janë shpërblyer për angazhimin e tyre të mëparshëm. Këtu dilema duhet të marrin përgjigje nga ata që kanë bërë emërimet”, thotë Marko Pankovski nga Instituti për Demokraci.

Ish kryemnistri Nikolla Gruevski gjatë qeverisjes së tij kishte angazhuar mbi 80 këshilltar por për dallim nga kryeministri aktual, ai kishte mbajtur të fshehtë numrin e këshilltarëve dhe opinioni fare pak ishte i njoftuar si me numrin ashtu edhe sferat ku ishin të angazhuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat