Javën e ardhshme takim Zaev-Cipras, edhe një përpjekje për zgjidhjen e emrit

Maqedonia

Javën e ardhshme takim Zaev-Cipras, edhe një përpjekje për zgjidhjen e emrit

Më: 13 maj 2018 Në ora: 23:07
Zaev-Cipras

Javën e ardhshme, më 17 maj në Sofje do të takohen kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, si vazhdim i përpjekjeve të gjendet zgjidhje për kontestin me emrin. Mbetet të priten rezultatet nga mbajtja e saj që të shihet nëse të dy vendet kanë arritur kompromis, duke pasur parasysh që Kryeministri Zaev në prill tha se kur opinioni do të dëgjojë paralajmërim për takim të ri, kjo do të thotë se ka mundësi të arrihet zgjidhje e denjë për vendin. Takimi i kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë vjen pas takimit të djeshëm të shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, nën patronazh të ndërmjetësuesit Metju Nimic. “Takimin mund ta karakterizoj si shumë serioz, punuam shumë, në disa momente edhe intensivisht. Bëmë një punë të caktuar pozitive. Të dy ministrat do t’i brifojnë kryeministrat në përgatitjet për takimin e tyre në Sofje javën e ardhshme më 17 maj. Në thelb kjo është porosia që e kemi”, tha Nimic pas takimit. Ai nuk doli me hollësi tjera, ndërsa deklarata për mediat nuk dhanë as ministrat e Punëve të Jashtme Dimitrov dhe Koxias. Siç njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, negociatat dhe bisedimet në hotelin në Sunio të ministrave Dimitrov dhe Koxias me përfaqësuesin e posaçëm të KB-së Nimic, zgjatën pothuajse gjashtë orë.

Në prag të takimit të djeshëm të shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësuesin Metju Nimic, gazetat greke “Katimerini” dhe “Ta nea” në botimet e tyre publikuan analiza të ngjashme, rreth skenarit të mundur për të arritur marrëveshje dhe një periudhë të caktuar kohore për ratifikim nga ana e Maqedonisë. T’i jepet kohë e mjaftueshme Maqedonisë që ta miratojë erga omnes dhe të bëjë rishikim të kushtetutës parashikon skenari që sipas “Katimerinit”, në ditët e fundit po bisedohet mes Athinës dhe Shkupit. “Në bazë të këtij skenari, kur IRJM-ja do t’i miratojë këto dy pika të parapara, jashtëzakonisht të rëndësishme për Athinën, atëherë automatikisht vendi fqinj do t’i bashkëngjitet NATO-s dhe do t’i fillojë negociatat inkuadruese me BE (gjithsesi, nëse Brukseli dërgon ftesë përkatëse), shkruan “Katimerini”. Sipas “Katimerinit”, për ecje drejtë marrëveshjes, për Greqinë duhet të përmbushen kushti për emrin të jetë erga omnes. “Sipas Athinës, nuk duhet të ekzistojë asnjë dritare, madje edhe në brendinë e IRJM-së, në të cilën vendi në mënyrë të izoluar do ta përdor termin ‘Maqedoni’. Gjithçka duhet të çojë në emër të ri, pa dallim nëse ai do të jetë ‘Maqedonia e Epërme’, apo ndonjë tjetër”, shkruan gazeta dhe shton se erga omnes çon drejtë ndryshimit të Kushtetutës. Siç publikoi paraprakisht MIA, me skenar të ngjashëm, por me informacion shtesë për afat kohorë prej dy vjetëve për implementim, doli edhe gazeta greke “Ta nea”. Arritje e marrëveshjes tani dhe kompletim gradual për dy vjet janë dy karakteristikat e skenarit që gjendet në tryezën të cilën e publikon edicioni i së shtunës i gazetës greke “Ta nea” “Gjatë leximit të parë, element më i rëndësishëm i këtij versioni të marrëveshjes është shfaqja e qëllimit të fqinjëve ta pranojnë për përdorim të përgjithshëm (erga omnes) emrin që do të dakordohet (mbizotërojnë emrat Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re), shkruan gazeta dhe komenton se pala e Maqedonisë e ndryshon qëndrimin për përdorimin e emrit kushtetues brenda vendit. Sipas informacioneve të gazetës, marrëveshja nuk mund të jetë tani dhe menjëherë por jepet kohë, ndoshta dy vjet për implementim erga omnes. Pala e Maqedonisë ka konsideruar, shkruan “Ta Nea”, se këtë periudhë dyvjeçare është i kënaqshme që të bëhen ndryshimet e nevojshme kushtetuese, qoftë me ose pa shpallje të zgjedhjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat