55 ekspertët e kryeministrit Zaev me një kosto prej gjysëm milion euro!?

Maqedonia

55 ekspertët e kryeministrit Zaev me një kosto prej gjysëm milion euro!?

Më: 27 maj 2018 Në ora: 18:26
Zoran Zaev

“Unë nuk i ndaj qytetarët e Maqedonisë, absolutisht besoj se secili mund të jetë i angazhuar. Të jenë bashkëpunues, diku si këshilltarë, diku si të punësuar direkt në institucionet publike, kudo që mund të ndihmojnë, duke dhënë kontributin e tyre”, tha Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë.

Sipas përllogaritjeve, paga mesatare e këtyre ekspertëve sillet 950 euro në muaj ose 11,450 euro në vit.

10 Këshilltarë bashkërisht marrin pagë mujore bruto 10,588.00 euro ose mbi 127 mijë euro në vit.

13 Këshilltarë të posaçëm marrin pagë mujore bruto 15,870.00 euro ose mbi 190 mijë euro në vit.

Nga lista fillestare prej 56 këshilltarëve është dorëhequr Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha, funksioni i të cilit ishte bashkëpunëtor i jashtëm për siguri të brendshme dhe luftë kundër radikalizmit.

Për pagë më të madhe mujore prej 1,500 euro, listës i prin Zoran Bashanoviq, bashkëpunëtor i jashtëm për çështje ekonomike. Kurse, 7 nga bashkëpunëtorët e jashtëm janë angazhuar vullnetarisht pa pagesë.

32 bashkëpunëtorët e jashtëm marrin honorarë, janë të angazhuar me marrëveshje një vjeçare dhe për ta nuk paguhen kontributet për sigurim shëndetësorë dhe pensional. Të ardhurat mujore për të gjithë bashkëpunëtorët e jashtëm arrin shifrën 19,355.00 euro në muaj, ose 232 mijë euro në vit.

Nga Shoqata e këshilltarëve tatimorë të Maqedonisë thonë se numri i madh i këshilltarëve është barrë e panevojshme për taksapaguesit. Kryetari i kësaj shoqate Pavle Gacov, tha se në qeveri ka pasur të punësuar nëpër sektorë, persona të kualifikuar që do të mund të kryenin funksionet e njëjta pa pasur nevojë për këshilltarë të posaçëm ose bashkëpunëtorë të jashtëm të kabinetit Zaev. Eksperti tatimor thotë se nga ky kuadër ka përjashtime, por dyshon në produktivitetin e punës së shumicës prej tyre.

“Pyetja ime është se çfarë kërkojnë aq shumë këshilltarë në një qeveri? Veçanërisht se shumica prej tyre nuk janë edhe aq të njohur si ekspertë të fushës, për të cilën janë zgjedhur si këshilltarë. Kështu që, ky angazhim i këshilltarëve në disa raste bëhet si punësim i kuadrove partiake, që e tregon edhe mënyrën e gabuar të udhëheqjes së politikës në lidhje me angazhimin e këshilltarëve. Numri i këshilltarëve është shumi i madh dhe mendoj se duhet të përgjysmohet”, tha Pavle Gacov , ekspert.

VMRO-DPMNE vazhdon të akuzoj qeverinë për përzgjedhjen e këshilltarëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm. Nga partia opozitare e Mickovskit kërkojnë sqarime rreth kualifikimeve të disa nga këshilltarët, të cilët sipas tyre, janë punësuar për të përmbushur premtimet parazgjedhore të Zaevit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat