Takimi mes Cipras dhe Zaev, të enjten ose të premten

Maqedonia

Takimi mes Cipras dhe Zaev, të enjten ose të premten

Më: 6 qershor 2018 Në ora: 18:23
Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev

Shkupi mbetet në qëndrimin se është çështje ditësh kur do të ndodhë biseda telefonike mes kryeministrave Zaev dhe Cipras.

Megjithatë jozyrtarisht, telefonata pritet të ndodhë sonte vonë ose nesër.

Ish Ministri i Jashtëm i Maqedonisë,  Antonio Milloshoski duke iu referuar burimeve të tij diplomatike, paralajmëron se këtë të enjte ose të premte dy kryeministrat do të takohen në Prespën e Vogël dhe do ta nënshkruajnë marrëveshjen.

Ky takim pritet të zgjedh kontestin disa vjeçar me Greqinë rreth emrit zyrtar të Maqedonisë.

Koordinator kryesor i ngjarjes sipas ish ministrit Milloshoski, do të jetë këshilltari i kryeministrit, Bojan Mariçiq. Ndërsa gjithashtu jozyrtarisht, SHBA-të i kanë dhënë afat Zaevit që deri të shtunën të deklarohet për marrëveshjen. Zëdhënësi i Qeverisë, Boshnjakovski nuk pranon të komentojë.

“E dini se informata jozyrtare asnjëherë nuk kemi lejuar t’i komentojmë, pa dallim prej çfarë burimesh vijnë derisa nuk kanë kredibilitet dhe legjitimitet”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Qeverisë Maqedonase, Mile Boshnjakovski.

Nga ana tjetër zëvendësministri i Jashtëm grek nuk shqetësohet nga vonesa e bisedës.   

“Jemi afër marrëveshjes dhe po presim vendimet e kryeministrit të IRJM-së. Nuk jam i shqetësuar për vonesën në proces, sepse palës tjetër i duhet kohë për ta shqyrtuar marrëveshjen”, ka deklaruar Janis Amanatidis, zëvendësministër i jashtëm i Greqisë.

Nga ana tjetër kundër përdorimit të termit “Maqedoni” sot do të protestohet në dhjetëra qytete në Greqi. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Canakopulos tha se është e drejtë e shenjtë e qytetarëve të kundërshtojnë politikat e pushtetit, por se në këtë rast Qeveria po mbron linjën kombëtare. Gjithsesi këtë herë, Kisha Ortodokse e Greqisë nuk ofron mbështetje ashtu si në protestën e shkurtit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat