VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja vazhdojnë të mbajnë raporte të mira edhe pse janë në anë të kundërt të pushteteve.
Kjo më qartë shihet te kritikat e VMRO-së opozitare, të cilat adresohen vetëm te dikasteret me të cilat udhëheq LSDM-ja, duke i anashkaluar resorët dhe funksionarët e BDI-së. Deputeti i VMRO-DPMNE-se Dragan Danev, mohon se partia e tij është selektive në këtë aspekt, ndërsa nuk përgjigjet në pyetjen e Alsat, nëse do të bashkëpunonin me BDI-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, edhe pse kjo e fundit ua kthej shpinën në zgjedhjet e 2016-tës.
"Ne i kritikojmë absolutisht të gjithë politikat e këqija pavarësisht nëse janë ministritë e udhëhequra nga LSDM-ja apo nga BDI-ja apo nga kushdo qoftë”. Gazetari: A do të kishit bërë koalicion me BDI-në në zgjedhjet e ardhshme?! Ne e kërkojmë besimin nga qytetarët e RM-së"- u përgjigj Dragan Danev, VMRO-DPMNE.
Bashkëpunimi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare mes VMRO-së dhe BDI-së, nuk mohohet as nga partia e Ahmetit.
"Ne nuk predikojmë se kush do të jetë partner i BDI-së. Partnerët e BDI-së i cakton populli në zgjedhjet parlamentare. Ne nuk kemi preference e as partnerë strategjik. Atë që e voton populli, ne jemi në gjendje që me programin e tonë siç kemi bërë gjithmonë, të ofrojmë ofertën tonë" – u shpreh Rexhail Ismaili, BDI.
Standardet e dyfishta të VMRO-DPMNE-së i vërejti edhe partia e Zaevit në pushtet, e cila këtë gjë nuk e la pa ua përmendur ish partnerëve të qeverisë paraprake.
"Paramendojeni, nuk ekziston asnjë kritikë për ministritë apo për resorët e BDI-së. Jo nuk ka. Kritika ka vetëm për ministrat e LSDM-së. Kjo shihet qartë se është një sjellje servile ndaj partnerit të deritanishëm qeveritar" – deklaroi Tomisllav Tuntev, Koordinatori parlamentar i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja ftohën marrëdhëniet pasi kjo e fundit bëri koalicion me LSDM-në, por më vonë krerët e ish partnerëve qeveritarë, filluan që të shpërndajnë fjalë miradije për njëri tjetrin.
"Ahmeti është politikan i mençur dhe me përvojë. Unë si më i ri ndoshta do të mësoj ose do të marr ndonjë specifikë pozitive nga ajo bisedë" – tha Hristjan Mickoski, VMRO-DPMNE.
"Unë mendoj se qëndrimet e VMRO-DPMNE-së kanë qenë transparente në kongresin që e mbajti. Por edhe njëherazi të njëjtat i ka konfirmuar edhe kryetari i ri, Miskoski" – u shpreh Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 kur Zaev mori mandatin për të bërë Qeverinë pasi të njëjtën gjë dështoi ta bëj Gruevski, VMRO-DPMNE i bënte thirrje Ahmetit që të respektojë parimin “fituesi me fituesin”, siç kishte kërkuar edhe vetë BDI-ja paraprakisht, por pas presioneve te shumta në opinion dhe reagimeve nga bashkësia ndërkombëtare, partia e Ahmetit vendosi të ndryshoj partnerin 14 vjeçar në qeveri duke prishur kështu parimin “Fituesi me fituesin” të cilin e kishte mbrojtur fuqimisht në vitet 2006-2008 kur PDSH-ja i kishte hyrë në qeveri më VMRO-në.