Sot fillon procedura për zbatimin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi

Maqedonia

Sot fillon procedura për zbatimin e marrëveshjes Maqedoni-Greqi

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 12:11
Zaev dhe Tsipras

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në ditën e djeshme mes Maqedonisë dhe Greqisë, prej sot pritet të fillojë edhe procedura për zbatimin e saj.

Qeveria e Maqedonisë pritet që në seancën e sotme ta miratojë lidhin për ratifikimin e marrëveshjes dhe më pas ta dërgojë në Kuvend, ku edhe pritet të ratifikohet.

Pasi ligji të dorëzohet në Kuvend, deputetët duhet ta votojnë dhe miratojnë me shumicë të thjeshtë, gjegjësisht me shumicë nga deputetët e pranishëm. Kuorumi minimal për punën e Kuvendit është 61 deputetë, që do të thotë se duhet të votohet “për” nga 31 deputetë që marrëveshja të ratifikohet.

Pas kësaj ligji për marrëveshjen dërgohet tek presidenti Gjorge Ivanov, i cili ka afat prej shtatë ditëve ta nënshkruajë. Nëse Ivanov vendos veto, marrëveshja rikthehet përsëri në procedurë kuvendore, ndërsa këtë radhë duhet të votohet me shumicë absolute (61 deputetët duhet të votojnë “për”). Marrëveshja në këtë rast përsëri dërgohet tek presidenti, i cili sipas Kushtetutës është i detyruar ta nënshkruajë.

Zbatimi i marrëveshjes do të ndodhë me shkallë, ndërsa do të futet të fuqi pasi të dy vendet ta pranojnë sipas procedurave të brendshme. Nëse eventualisht në cilën do nga palët nuk miratohet marrëveshja në procedurat e brendshme, kjo do të thotë se marrëveshja nuk vlen.

Ndërsa fjalën përfundimtare për marrëveshjen do ta kenë qytetarët e Maqedonisë, të cilët pritet të deklarohen në referendum, i cili duhet të mbahet në shtator ose tetor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat