MPB mohon: Nuk kemi përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve

Maqedonia

MPB mohon: Nuk kemi përdorur forcë të tepruar ndaj protestuesve

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 20:29
MPB

26 persona prej të cilëve 5 adoleshentë, janë arrestuar pas protestës së mbrëmshme para Kuvendit, e cila u mbajt kundër Marrëveshjes së nënshkruar mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Por, siç thonë nga MPB-ja, një pjesë e protestuesve, edhe pasi që është shpërndarë turma, ata kanë vazhduar me sjellje jashtë normales, duke dëmtuar dhe thyer dy lokale. Policia thotë se e respekton të drejtën për protestë të qetë, por dhe se nuk do të lejojë përdorimin e forcës ndaj nëpunësve policorë dhe hyrje të dhunshme në institucione.

“Gjatë mbledhjes së mbrëmshme publike në Shkup para godinës së Kuvendit, një pjesë e protestuesve, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të maskuar, në mënyrë të dhunshme e shtynë gardhin mbrojtës dhe filluan që të hedhin gurë dhe mjete piroteknike dhe gjërat të tjera drejt ndërtesës së Kuvendit dhe kordonit policor, gjithashtu u munduan që në mënyrë të dhunshme të hyjnë në Kuvend”, nga MPB.

Edhe Prokuroria Publike ka hapur lëndë për ngjarjet e mbrëmshme. A kanë vepruar në mënyrë të paligjshme protestuesit e arrestuar, do të vërtetohet përmes incizimeve të kamerave të sigurisë së kuvendit, ndërsa do të kërkohen edhe personat e maskuar.

“Njëkohësisht do të vërtetohet edhe identiteti i personave të tjerë të përfshirë në këtë rast, për të cilët ekziston dyshim se me sjelljen e tyre janë kryerës të veprave penale. Sipas përmbajtjes së video-incizimeve dhe provave të tjera, do të bëhet edhe ngritja e padive penale”, nga Prokuroria Publike e RM-së.

Për shkak të lëndimeve, në disa klinika kanë përfunduar 10 nëpunës policorë dhe shtatë protestues. Në publik pasuan reagime lidhur me atë se a i ka tejkaluar autorizimet dhe a ka përdorur forcë të tepruar  njësiti special. TV21 bisedoi me ish-kryeshefin e MPB-së, Lubomir Gjurçevski. Ai thotë se është pritur që të ketë incidente ndërsa policia në mënyrë të përgatitur ka intervenuar duke e ditur se pas protestave qëndron grupi i tifozëve me të cilin shpesh janë përballur.

“Policia sipas meje ka përdorur mjaft mjete për të zbrapsur një sulm serioz ndaj saj. Gjatë intervenimit të mbrëmshëm të policisë nuk kishte tejkalim të autorizimeve për të cilat është e detyruar t′i zbatojë në një situatë të tillë”, tha Lubomir Gjurçevski, Ish-kryeshef në MPB.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut edhe pse ka qëndrim të njëjtë se protestuesit kanë qenë të dhunshëm, megjithatë vlerëson se edhe MPB-ja ka përdorur mjete kimike të tepërta.

“Sipas Ligjit për policinë, përdorimi i mjeteve për zbrapsje duhet të jetë adekuat dhe proporcional. Në situatën e dhënë, kjo gjë vendoset në pikëpyetje, posaçërisht për shkak se mes qytetarëve që kanë protestuar ka pasur persona të moshuar dhe fëmijë”, thanë nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njerëzve në RM.

Komiteti i Helsinkit do të hetojë edhe nëse janë shkelur të drejtat e personave të arrestuar ndërsa edhe përmes Kontrollit të brendshëm të MPB-së do të vërtetohet se a i ka tejkaluar autorizimet njësiti special i policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat