Emri i ri i Maqedonisë, e miraton qeveria, kalon me procedurë të përshpejtuar në Kuvend

Maqedonia

Emri i ri i Maqedonisë, e miraton qeveria, kalon me procedurë të përshpejtuar në Kuvend

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 21:10
Kuvendi i Maqedonisë

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për emrin e Maqedonisë, ka nisur tashmë rrugëtimin për marrjen e dritës jeshile në kuvend, pasi më parë, ishte qeveria që e shqyrtoi dhe e miratoi atë.

Në seancën e rregullt të qeverisë, u shqyrtua dhe u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për zgjidhjen e dallimeve për emrin dhe është dërguar tani në kuvend për ratifikim me procedurë urgjente, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Ndërsa kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi, thotë për Alsat M se po bëhen përgatitjet që projektligji të vendoset në rendin e ditës për tu diskutuar në seancë plenare, të martën. Ai bën të ditur se është takuar me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe ka sqaruar se projektligji do të përcillet në komisionin për çështjet evropiane.

“Janë duke u bërë përgatitjet për shpërndarje të materialit te deputetët. Në bazë të shpërndarje së materialit të deputetëve pason thirrja e seancës të cilën e planifikoj për ditën e nesërme në ora 11:00”, thote Xhaferri.

Sipas tij, nëse nuk do të ketë probleme, brenda dy ditësh debat në komision, projektligji mund të kalojë në votim. Që projektligji të miratohet nevojitet shumicë e thjeshtë votash. Pas ratifikimit, marrëveshja i dërgohet për firmë presidentit, i cili ka një afat 7 ditorë për ta nënshkruar.

Nëse ai përdor të drejtën e vetos, ligji për ratifikim kthehet në kuvend. E nëse në kthim, ai merr të paktën 61 vota, presidenti është i detyruar ta nënshkruajë. Sidoqoftë, Georgi Ivanov ka paralajmëruar se në asnjë rast nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen dhe për këtë ekziston si precedent ligji për përdorimin e gjuhëve, që në mungesë të firmës së presidentit, nuk është përmbyllur ende. Ndaj edhe fati i projektligjit që do të zhbllokonte rrugën euroatlantike të vendit, mbetet i pasigurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat