“Marrëveshja”, thellon ndarjet mes Zaevit dhe Ivanovit

Maqedonia

“Marrëveshja”, thellon ndarjet mes Zaevit dhe Ivanovit

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 15:56
Zaev dhe Ivanov

Marrëveshja për emrin përplasë presidentin Ivanov dhe kryeministrin Zaev. Ivanovit “nuk i trembet syri” nga kërcënimet e një ditë më parë të Zaevit se do të iniciojë impiçment ndaj presidentit, nëse ky i fundit e pengon procesin. Në këtë “betejë fjalësh” Ivanov mbetet në qëndrimin e tij të prerë, kundër marrëveshjes.

“I bëj thirrje Zaevit që me të njëjtën shumicë prej 2/3 që është e domosdoshme për të ndryshuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, menjëherë të ngrejë procedurë për të vërtetuar përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, respektivisht impiçment. Qëndrimi im sa i përket marrëveshjes së dëmshme për emrin është përfundimtar dhe mbetet i pandryshuar pavarësisht të gjitha kërcënimeve dhe presioneve” – thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në një intervistë për Kanal 5, Zaev u zotua se nuk do të lejojë presidentin që ta bllokojë zbatimin e marrëveshjes, duke theksuar se do ta zgjerojë shumicën parlamentare nëse do të ketë nevojë për impiçment.

“Ka dëshirë dhe atë do ta bëjmë nëse e kemi patjetër veçanërisht për impiçment ndaj Presidentit. Nëse e kemi patjetër. Unë jam kryetar i pushtetit ekzekutiv. Pushteti ekzekutiv në kuadër të kompetencave të saja është kështu përgjegjëse, e vendosur dhe e sigurt në atë që bënë dhe absolutisht nuk do të lejojmë me asgjë as Zaev as askush tjetër të pengojë. Për konsolidimin vetëm them se tani do të vijë në shumicë prej 2/3, tani janë 68” – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Shefi i diplomacisë Dimitrov paralajmëroi gjatë ndryshimeve kushtetuese mund të definohen edhe zbrazëtira të tjera juridike, siç është rasti me të drejtën e vetos suspenzive të Presidentit.

“Kushtetuta thotë se Presidenti ka të drejtë të nënshkruajë ligj që është miratuar në Kuvend, por është i obliguar ta nënshkruajë nëse Kuvendi sërish e miraton ligjin e njëjtë. Kemi precedent me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Siç po dëgjojmë, kështu mund të ndodhë edhe me Ligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Zbrazëtira juridike është si vijon nëse Presidenti është i obliguar, çfarë bëjmë nëse nuk nënshkruan?! Presidenti nuk është Gjykatë Kushtetuese. Nuk mund në emër të Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve” – u shpreh Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Duke folur për referendumin, kryeministri dhe shefi i diplomacisë thanë se pavarësisht llojit të referendumit, rezultati do të jetë i obligueshëm për vendin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat