Maqedoni: Debat në parlament për datën e fillimit të negociatave me BE-në

Maqedonia

Maqedoni: Debat në parlament për datën e fillimit të negociatave me BE-në

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 20:52
Zoran Zaev

Opozita maqedonase thotë se nuk ka një datë të saktë për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian, çështje për të cilën pati një përplasje në parlament me kryeministrin Zoran Zaev.


 Direct link 

Gjatë një seance pyetje përgjigjesh në parlament, ligjvënësit e partisë opozitare VMRO-DPMNE shfaqën dilema nëse Maqedonia ka marrë një datë për fillimin e bisedimeve, ndërsa thanë se qeveria po manipulon me qytetarët dhe opinionin publik.

Por, kryeministri Zoran Zaev theksoi se Maqedonia mori datën për çeljen e bisedimeve dhe ajo është qershori i vitit 2019; “Këtë do t’ua konfirmojë Komisioni Evropian”, tha kryeministri maqedonas.

“Dëshmi për këtë është se Këshilli Evropian asnjëherë më nuk do të merret me një datë për bisedimet me Maqedoninë; këto janë argumente serioze se Maqedonia ka marrë një datë për bisedime”, theksoi kryeministri Zaev.

“Data është datë. Kështu, anëtarësimi në BE realizohet përmes negociatave dhe harmonizimeve të gjata dhe të vështira të cilat jënë kusht për t’u bërë pjesë e klubit. Ne jemi të vetëdijshëm për këto kushte por edhe të përkushtuar që t’i realizojmë para zgjedhjeve presidenciale vitin e ardhshëm”, tha Artan Grubi, kryetar i Komisionit parlamentar për çështje evropiane në një takim të komisionit.

Në të njëjtin takim, ambasadorja austriake në Maqedoni, Renate Kobler foli para anëtarëve të Komisionit parlamentar për çështje evropiane ku theksoi se vendi i saj si drejtuese e radhës me BE-në do ta ketë përparësi integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.ku ambasadorja Austriake Renate Kobler foli për përparësitë dhe angazhimet e pritshme të vendit të saj, që prej dje mori presidencën e radhës me Bashkimit Evropian.

Zonja Kobler theksoi sfidat e Austrisë gjatë perdiudhës gjashtëmujore që janë përshpejtimi i konkurrencës globale, pasojat e konflikteve të armatosura në mes vendeve fqinje dhe qëndrushmëria, vala e emigrantëve, ndryshimet klimatike, terrorizmi dhe radikalizimi.

“Të jeni të sigurtë se e ardhmja e qartë evropiane e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe rruga e qartë e vendit tuaj mbeten përparësia kryesore e presidencës së Austrisë me Bashkimin Evropian”, tha ambasadorja.

Motoja austriake gjatë presidencës është “Evropa që mbron” dhe një çështje tjetër, shpjegoi ambasadorja, janë sfidat me krizat që kanë lëkundur besimin e qytetarëve tek unioni. Po ashtu, masat dhe veprimi kundër migracionit ilegal.

Ajo shtoi se Austria do të promovojë marrëdhënie të mira në mes BE-së dhe fqinjëve të saj, me fokus tek vendet e Evropës juglindore.

“Rajoni është pjesë e Evropës dhe ishte partner i besueshëm gjatë krizës së emigrantëve. Vendet e Ballkanit perëndimor e kanë të ardhmen në integrimin brenda BE-së”, tha zonja Kobler.

Zëvendës-kryeministri për çështje Evropiane, Bujar Osmani thotë se Austria merr presidencën në një periudhë më të rëndësishme madje historike për Maqedoninë. Ai vë në dukje nevojën për një konsensus të qartë politik ndërmjet faktorëve brenda shtetit për anëtareësim në BE, duke respektuar standardet, parimet dhe vlerat evropiane; këto angazhime duhet të demonstrohen me punë dhe vepra, thotë zoti Osmani.

“Komisioneri evropian Hahn tashmë ka paralajmëruar se nga gjysma e korrikut, me siguri me datë 17 korrik do ta vizitojë vendin në funksion të përgatitjeve të të ashtuquajturit proces të skriningut me të cilin BE-ja nisë skanimin e legjislacionit dhe të institucioneve tona, të politikave e procedurave tona, me qëllim që të dy palët të jemi gati për çeljen e negociatave. Njëherësh, ne nisim përgatitjet për ngritjen e ekipit negociues, të strukturës negociuese si dhe përgatitjen e administratës po për nisjen e negociatave”, tha Bujar Osmani.

Deputeti i BDI-së Artan Grubi thotë se Maqedonia po realizon pjesën e detyrave të saj por se duhet, sipas tij, secili nga vendet anëtare të BE-së në këtë kuadër të jetë në frymën e asaj mbi çka bazohen themelet e projektit paqësor evropian.

Kryetari i grupit të depuetëtve të Lidhjes Social Demokrate, Tomisllav Tuntev thotë se pret mbështetjen e Austrisë dhe të gjitha vendeve të BE-së të cilat njohën potenciain e Maqedonisë për t’u bërë partnere e tyre. Austria, shton ai të vlerësojë realisht reformat:

“Në njëmbëdhjetë muajt e ardhshëm duhet të kryejmë detyra shtëpie shumë të rëndësishme: zbatimin e plotë të marrëveshjes me Greqinë, referendumin që është një hap kyç në këtë rrugë, reforma të sistemit gjyqsor, luftën kundër korrupsionit, realizimin e plotë të rekomandimeve të ekspertit Reinhradt Priebe”, thekson ligjvënësi.

"Unë mendoj që sfida kryesore e Austrisë do të jetë se a do të mbetet Evropa inkluzive apo do të shkojë në rrugën e të bërit ekskluzive (përjashtuese). Për ta dëshmuar këtë janë dy tregues: i pari kriza e emigrantëve dhe i dyti integrimi i Ballkanit Perëndimor”, thotë Afrim Gashi, kryetar i Lëvizjes Besa.

Opozita maqedonase nuk ishte e pranishme në këtë takim./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat