“Monstra”, familjarët e të vrarëve: Po luhen lojëra të errëta

Maqedonia

“Monstra”, familjarët e të vrarëve: Po luhen lojëra të errëta

Më: 15 korrik 2018 Në ora: 21:05
Monstra

Seanca gjyqësore për rastin “Monstra”, në të cilën do të duhej që të dëshmojë dëshmitar i mbrojtur “E1” është shtyrë, pasi që është sëmurë gjykatësi i dytë i lëndës, Osman Shabani.

Ndaj shtyrjes së gjykimit, kanë reaguar familjarët e të vrarëve, duke akuzuar se po luhen lojëra të errëta dhe se qëllimisht anulohet gjykimi.

“Paraprakisht është sëmurë gjykatësi Ivica Stefanovski dhe e shtritë në krevat, kur duhej që të kumtohet vendimi, por fillimisht pritej VMRO-DPMNE që të bëjë Qeveri me BDI-në, ndërkaq tani është sëmurë gjykatësi Shabani. Vazhdoni me të njëjtat lojëra si më parë”, thanë familjarët.

Familjari Goran Naqevski, përsëri e akuzoi kryeministrin Zoran Zaev, i cili tha se ai ua ka premtuar të vërtetën, ndërkaq propozoi që të dëgjohen edhe familjarët se çfarë u kishte premtuar kryeministri.

“Ju na premtuan të  vërtetën, por këtu ka një qendër të fuqisë që udhëheq me Gjykatën. Propozoj që t’i dëgjojmë nënat që të tregojnë se çfarë u ka premtuar Zaev. Ne besojmë se kjo është e kontrolluar nga ajo qendër dhe gjashtë funksionarët e BDI-së, të cilët fshihen me fshehtësi shtetërore, vetë gjykatësi që sot është sëmurë është nga BDI, ata e kanë vendosur”, tha Naqevski.

Gjykatësi Ognen Stavrev thoshte se nuk ka diçka të tillë dhe se ai nuk është “nën kontroll të askujt”.

Gjykimi do të vazhdojë më 22 gusht, ndërkaq pas asaj do të ketë seanca edhe më 24 dhe 31 gusht, ku pritet të dëshmojë dëshmitari i fshehur.

Ndryshe, dëshmitari i mbrojtur apo i njohur me emrin e koduar “E1” u propozua nga Prokuroria Themelore Publike në shtator të vitit 2012.

Në dëshminë e gjykimit të parë, E1 ka deklaruar se disa ditë përpara vrasjes, ai i ka parë të pandehurit Sami Luta, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviq në Liqenin e Smillkovës disa herë në orën 6 të mëngjesit dhe 6 të pasdites, duke pretenduar se po vëzhgonin vendin.

Megjithatë mbrojtja argumentoi se E1 nuk ishte i besueshëm sepse ai identifikoi burrat e gabuar në fotografi dhe ka dhënë dëshmi kontradiktore rreth pamjes së të pandehurve, duke pretenduar se ata kishin mjekra të gjata, që sipas berberit të tyre nuk ishte e vërtetë.

Të thënat e dëshmitarit “E1”, kanë qenë një ndër dëshmitë kryesore në bazë të së cilës janë dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për vrasjen në Liqenin e Smillkovës.

Pos dëshmitarit “E1”, në cilësinë e dëshmitarit të fshehur ka qenë edhe Haki Aziri, i cili pas heqjes dorë nga ky status, u bë pjesë e të akuzuarve për vrasjen.

Paraprakisht, kanë dëshmuar 4 peshkatarë, 3 prej të cilëve janë romë dhe të cilët në natën e kobshme kanë qenë duke peshkuar në Liqenin e Smillkovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat