Osmani: Përfshirja e shqiptarëve në administratën e Maqedonisë është rritur

Maqedonia

Osmani: Përfshirja e shqiptarëve në administratën e Maqedonisë është rritur

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 18:58
Bujar Osmani

Përfshirja e shqiptarëve në administratën publike në Maqedoni, ka avancuar falë marrëveshjes së Ohrit, thotë zëvendëskryeministri në qeverinë e Maqedonisë, Bujar Osmani.

Në një bisedë për Radio Kosovën, Osmani thotë se në aspektin legjislativ, detyrimet që dalin nga marrëveshja e Ohrit, kanë përfunduar. E fundit, sipas Osmanit, ishte miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Marrëveshja e Ohrit ka paraparë ndryshime kushtetuese të cilat kanë ndodhë në vitin 2001 dhe tani ato janë pjesë e rendit shoqëror dhe shtetëror në Maqedoni. Nga ato ndryshime kushtetuese, dalin obligime për miratimin e ligjeve qe miratojnë tema të ndryshme. Kështu që, në aspektin e legjislacionit, gjithçka ka përfunduar me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe që ka ndodhë këtë vit. Mirëpo, implementimi i ligjeve është proces që nuk do të përfundojë asnjëherë. Ai ka dinamikë herë të përshpejtuar dhe ndonjëherë të ngadalësuar, varësisht nga kontestet politike dhe nga vullneti politik e ndonjëherë edhe të partive politike. Por, sidoqoftë, dallimi është i madh nga ajo që kemi gjetur në vitin 2001, me atë që kemi tani për momentin, sa i takon pozitës shtetformuese të shqiptarëve”, thotë Osmani.

Osmani thotë se fokusi tani duhet të jetë në fushën e arsimit, përkatësisht në ngritjen e cilësisë në universitetet në gjuhën shqipe në Maqedoni.

“Marrëveshja ka pasur disa shtylla. Një prej shtyllave ka qenë decentralizimi, i cili, me ndarjen e re territoriale dhe me decentralizimin fiskal dukshëm ka avancuar mirëpo, a duhet edhe më tutje decentralizim, ajo është politikë që nuk është temë vetëm në Maqedoni por gjithandej në Evropë. Sa i përket përfaqësimit të drejtë, kemi gjetur një administratë me 0.2 % kurse tani është 19.6 për qind shqiptar në administratën shtetërore dhe publike në Maqedoni. Tani ne duhet të kalojmë nga faza e sasisë në cilësi. Nëse deri para marrëveshjes së Ohrit, nuk kemi pasur asnjë universitet shqip, tani ne kemi tre të tillë; dy shtetëror e një publiko-private. Tani ne duhet të punojmë për cilësi në ato universitete, në ngritjen vertikale të njerëzve në administratë. Pra, tani duhet një dimension krejt tjetër i trajtimit të marrëveshjes së Ohrit, nga sasia në cilësi”, shprehet ai.

Duke qenë se zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani është përzgjedhur edhe krye-negociator politik në bisedimet Maqedoni- BE, ai ka paralajmëruar ndryshime në legjislacionin aktual.

“Në këto muaj që vijojnë, fillon procesi i skriningut, që do të thotë se do të bëjmë një prerje mes asaj çfarë kërkon BE nga ne dhe ku jemi ne për momentin, për të përcaktuar hapësirën që duhet mbuluar gjatë procesit të negociatave. Në qershor 2019, besoj fillojmë me negociatat. Hapim kapitujt 23 dhe 24 që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, të drejtat themelore të njeriut e sigurinë e brendshme dhe pastaj kapitull për kapitull, do të transformohet i gjithë legjislacioni evropian në atë të Maqedonisë”, thotë ai.

Ndërkaq sa i përket referendumit të paralajmëruar për 30 shtator të këtij viti, Osmani i tha Radio Kosovës se vullneti i shumicës, do të respektohet.

“Mendoj se Maqedonia gjendet para muajve shumë deciziv për të ardhmen e saj; në metrat e fundit të një maratonë 27 vjeçare, që duhet të rrumbullakon shtetformimin dhe integrimin e vendit në NATO dhe në BE. Pavarësisht rezistencave që do jenë në këto metrat e fundit, mendoj se procesi është i pakthyeshëm. Qytetarët e kanë të qartë se po vendosin për të ardhmen e tyre dhe gjeneratave që vijnë dhe secili do të vendos për të ardhmen e vetë, kështu që nuk do të jenë pre e ndikimeve politike ditore. Sa do të dalin, është më shumë çështje teknike. Referendumi është konsultativ dhe kjo nënkupton se prej atyre që do të votojnë, ne do të vlerësojmë se cili do të jetë vullneti i shumicës e të cilin do ta respektojmë në përpikëri”, shprehet Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat