Novakovski: Numri i votuesve në listë, jo real

Maqedonia

Novakovski: Numri i votuesve në listë, jo real

Më: 14 gusht 2018 Në ora: 22:37
Aleksandar Novakovski

Ish kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Novakovski hedh dyshime nëse numri prej 1,8 milion votuesish është real dhe se i njëjti mund të shkaktojë problem në arritjen e censusit në referendumin e 30 shtatorit. Novakovski madje thekson se nuk është bërë revizion i listës zgjedhore e as janë zbatuar rekomandimet e OSBE-ODIHR në ciklet e mëparshme zgjedhore, ndërsa metodologjia e përdorur nga institucionet dhe spekulimet e ndryshme kanë nxitur mos-besim tek qytetarët. Për Novakovskin, nuk ka dyshim se pastrimin e listës zgjedhore do të duhej ta bënte KSHZ-ja, respektivisht sekretariati kompetent, por se tashmë është shumë vonë për një gjë të tillë.

Lista zgjedhore është e atillë siç është. Problem do të jetë për censusin, për shkak të numrit të madh të personave të regjistruar në listën zgjedhore me të drejtë vote. Mendoj se në asnjë rast nuk do të keqpërdoret lista zgjedhore, por mund të jetë problem për arritjen e censusit. Pra nuk arritën institucionet ta kthejnë besimin. Ndërsa në këtë periudhë që tanimë është shpallur referendumi, mos prisni ndryshime drastike në listën zgjedhore, sepse janë të pamundura”- deklaroi Aleksandar Novakovski, Ish kryetar i KSHZ-së.

Problemi tjetër sipas Novakovskit lidhet me financimin e fushatës së referendumit. Nëse KSHZ-ja i lejon të gjitha institucionet e interesuara të bëjnë propagandë, sipas tij gjithsesi, është e domosdoshme të mbahet evidencë mbi financat.

E rëndësishme është që edhe po të mbetet në këtë mënyrë, atëherë duhet të dihet saktësisht prej nga janë mjetet për financim. Më drejtë thënë, duhet Komisioni Shtetëror Zgjedhor të sjellë rregullore të caktuar me udhëzime të caktuara që të mund të paraqiten të gjitha mjetet që do t’i fitonin, të gjithë ato bartës që do të donin të kyçeshin në propagandën publike”-tha Aleksandar Novakovski, Ish kryetar i KSHZ-së.

Parregullsi me listën zgjedhore janë vërejtur që në ditët e para të shqyrtimit publik, ndërsa shqetësime ka nxitur edhe mundësia që pushteti të shpenzojë pa ndonjë kufizim paratë e qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat