Për 6 muaj, 8 milionë euro për pastrimin e rrugëve në Shkup

Maqedonia

Për 6 muaj, 8 milionë euro për pastrimin e rrugëve në Shkup

Më: 23 gusht 2018 Në ora: 08:41
Ilustrim

Pastrimi dhe mirëmbajtja e rrugëve të Shkupit, Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”, vetëm për gjashtë muajt e parë i ka kushtuar mbi 8 milionë euro. Raporti i punës për periudhën janar-qershor të vitit 2018, i publikuar së fundmi nga NP “Higjiena Komunale”, thekson se nga shuma e përgjithshme që është harxhuar për pastrimin e rrugëve, rreth 5 milionë euro janë siguruar nga amvisëritë, respektivisht mbi 3 milionë euro janë inkasuar nga kompanitë dhe firmat.

Për dallim nga periudha e njëjtë e vitit paraprak, nga kjo ndërmarrje njoftojnë se pagesa e faturave është rritur për 42 mijë euro më tepër. Të hyrat e përgjithshme që shërbimet e Higjienës Komunale i kanë siguruar gjatë pjesës së parë të këtij vitin arrin deri në 10 milionë euro, me çka na raport theksohet se arka e tyre është shtuar për më tepër se 380 mijë euro nga periudha e njëjtë vitit 2017. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht në NP “Higjiena Komunale”-Shkup janë të punësuar mbi 1000 persona. Kësisoj, harxhimet më të larta kjo ndërmarrje i realizon gjatë mbulimit të pagave mujore, të cilën arrin deri në 3.7 milionë euro. Duke i llogaritur orët shtesë dhe punën gjatë festave, statistikat e publikuara nga kjo ndërmarrje bëjnë me dije se rroga mesatare në këtë kompani shtetërore arrin mbi 23 mijë denarë.

Lufta e dështuar me qentë endacak:
Faktin se institucionet lokale kanë dështuar në luftën përballë qenve endacak më së mirë e sqarojnë të dhënat e publikuara nga NP “Higjiena Komunale”. Për dallim nga viti 2017, ku janë trajtuar dhe kapur mbi 700 qen endacak, gjatë muajve të parë të këtij viti organet përkatëse kanë arritur të trajtoj vetëm 405 qen endacak. Tutje, në pjesën e parë të vitit 2017, shërbimet përkatëse të ndërmarrjes në fjalë kanë realizuar kastrimin e mbi 500 qenve, ndërsa këtë vit ky numër shkon deri në 306 qen endacak.

Statistikat zyrtare për zgjidhjen e problemit me qentë endacak, po ashtu thonë se gjatë periudhës janar-qershor të vitit të kaluar, është kryer eutanizimi i mbi 160 qenve, ndërsa deri më sot NP “Higjiena Komunale”, përkundër reagimeve të shumta nga opinioni, ka kryer eutanazimin e 55 qenve endacak, shkruan Koha..

“Gjatë periudhës janar-qershor/2018, Shërbimet për trajtimin dhe vendosjen e qenve endacak, aktivitet e tyre i kanë kryer me ndërprerje gjatë muajve shkurt dhe mars për shkak të defektit të veturës së vetme me të cilën disponon ndërmarrja dhe përfundimit të Marrëveshjes së vjetër me shërbimet veterinare. Marrëveshja e re është nënshkruar në prill të këtij viti, vetura e vjetër është riparuar dhe në maj të këtij viti është siguruar një automjet e ri i përshtatshëm për kapjen e qenve endacak”, arsyetohen nga NP “Higjiena Komunale”, në raportin e punës për pjesën e parë të vitit.

Ndryshe, sulmet dhe tërbim i qenve endacak vazhdon të jetë brengë e përditshme e shumë qytetarëve të Shkupit. Rasti i fundit është regjistruar mëngjesin e së shtunës në një lagje të Çairit. Kësaj herë viktime ka qenë një grua, e cila gjatë daljes nga banesa e saj, për të shkuar në punë, në orët e parë të mëngjesit është sulmuar nga tre qen endacak. Përpos lëndimeve në krahun dhe këmbën e djathë, banorja e Çairit ka pësuar trauma psikike.

Edukimi ekologjik pjesë e agjencës së “Higjienës Komunale”
Me qëllim edukimin dhe vetëdijesimin e popullatës për ruajtjen dhe kujdesin ndaj ambientit jetësor, Sektori për zhvillim pranë NP “Higjiena Komunale”, nga janari deri në muajin qershor të këtij viti në shumë shkolla fillore dhe çerdhe për fëmijë ka realizuar takime edukative me nxënësit.

“Eko ligjëratat janë realizuar në tetë komuna të Shkupit, duke filluar nga Kisella Voda, Çairi, Buteli, Qendra, Aerodromi, Gazi Baba, Shuto Orizarja dhe Saraji. Gjatë kësaj kohe ishin të vizituara 18 shkolla fillore dhe 13 çerdhe. Në ligjërata morën pjesën rreth 900 nxënës, të cilët u njoftuan se si duhet të hidhet me rregull bërlloku, selektimi i tij, riciklimi dhe mbajtja e ambientit të pastër. Ligjëratat janë realizuar në kuadër të objekteve të shkollave me shembuj praktikë”, thuhet në raportin e NP “Higjiena Komunale”.

Megjithatë, edhe ose institucionet lokale realizojnë kësi lloj aksionesh, vende më të papastërta dhe më të ngarkuara me bërllok vazhdojnë të jenë hapësirat brenda dhe përreth shkollave fillore. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, duke e komentuar situatën me nivelin e pastërtisë në kryeqytet, ditë parë tha se nga gjithsej 48 automjete për larje të rrugëve, ai në gjendjen gatishmëri i ka gjetur vetëm 6 prej tyre. Sigurimi i automjeteve të reja dhe pasurimi i parkut vozitës për mirëmbajtjen e rrugëve të qytetit, sipas tij, është prioritet i administratës së qytetit.

Mes tjerash, ai ka theksuar se për nevojat qytetarëve të Shkupit, në këtë rast për hedhjen e bërllokut nevojiten 6 mijë kontejner, ndërsa për momentin në territori ne Shkupit, janë të vendosur rreth 4200 kontejnerë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat