Maqedoni, deputetët deri të hënën duhet të deklarohen nëse do të zhvillojnë fushatë për referendumin

Maqedonia

Maqedoni, deputetët deri të hënën duhet të deklarohen nëse do të zhvillojnë fushatë për referendumin

Më: 24 gusht 2018 Në ora: 09:25
Kuvendi i Maqedonisë

Mbrëmë në mesnatë skadoi afati për paraqitje për votim të diasporës për referendumin e ardhshëm dhe për kontroll në Listën zgjedhore. Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor deri dje pasdite ishin dorëzuar 2.437 paraqitje nga qytetarë për të votuar në përfaqësitë diplomatike-konsullare të Republikës së Maqedonisë jashtë vendit.

Votimi jashtë vendit do të mbahet më 29 shtator në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe zyret e Republikës së Maqedonisë në të cilat janë pranuar së paku 10 paraqitje për votim.

Nga KSHZ informojnë edhe se deri të mërkurën gjithsejt 4.959 qytetarë kanë kontrolluar të dhënat në Listën zgjedhore. Numër më i madh i qytetarëve kanë kryer kontroll në Strumicë – 509, Manastir – 454, Karposh – 431.

Nga Qeveria dje kumtuan se në mbledhjen e fundit ka sjellur vendim me të cilin e ka obliguar Ministrinë e Financave të përgatitë propozim-vendim për sigurimin e 80 milionlë denarëve nga rezerva rrjedhëse buxhetore, përkatësisht nga zëri – funksione të shtetit nga buxheti i Minsitrisë, të cilat do të vihen në disponim për zbatimin e fushatës së Kuvendit si propozues i autorizuar i referendumit.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndërkaq dje parashtroi një njoftim për grupet parlamentare në të cilin ai kërkon që brenda tri ditëve të përgjigjen nëse do të merrnin pjesë në propagandën publike për referendumin që do të zhvillohet nga Parlamenti, si dhe për atë se çfarë fushatë do të bëjnë, nëse do të jenë “pro” ose “kundër” pyetjes së referendumit.

Ky njoftim i është dërguar koordinatorëve të grupeve parlamentare të LSDM-së, BDI-së, OBRM-PDUKM-së, Lëvizjes Besa si dhe deputetëve të PDSH-së dhe Aleancës për Shqiptarët.

Afatin treditor Xhaferi koordinatorëve të grupeve parlamentare ua jep për të informuar atë nëse do të marrin pjesë në propagandën publike dhe nëse do të bëjnë fushatë “pro” apo “kundër” pyetjes së referendumit për shpërndarjen e planifikuar dhe adekuate të këtyre fondeve për realizimin e propagandës publike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat