Raport për fushatën e partive politike për referendumin e 30 shtatorit

Maqedonia

Raport për fushatën e partive politike për referendumin e 30 shtatorit

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 09:16
Ilustrim

Partitë politike parlamentare të cilat janë shprehur se do të mbështesin marrëveshjen me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit, gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës.

BDI aktivitetin e ditës së djeshme në kuadër të fushatës për referendumin e 30 shtatorit i ka vazhduar në Komunën e Studeniçanit.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se më 30 shtator votohet për një Maqedoni më të mirë, votohet për një Maqedoni në paqe e stabilitet, votohet për një Maqedoni për marrëdhënie ndëretnike dhe ndërfqinjësore.

“Të gjithë janë fitimtar, nuk ka humbës në këtë marrëveshje, edhe shqiptarët, maqedonasit, grekët, bullgarët të gjithë kemi fituar sepse po forcojmë paqen, forcojmë stabilitetin, forcojmë ardhmërinë duke qenë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Me 30 shtator beteja duhet të fitohet dhe këtë betejë duhet ta fitojmë bashkë, shqiptarë, maqedonas, boshnjak, turq, vlleh, egjiptian sepse fitohet e ardhmja për brezat që vijnë”, potencoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

PDSH dje në kuadër të fushatës “Një hap para për NATO dhe BE” zhvilloi takime me banorët e Xhepçishtit të komunës së Tetovës dhe me banorët e Treboshit të Komunës së Zhelinës.

Në këto takime kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi drejtoi porosi të qarta lidhur me referendumin e 30 shtatorit:

“Ne me vullnetin tone si shqiptar në referendumin e 30 Shtatorit do ta vulosim orientimit e vendit në NATO dhe BE! Përcaktimi jonë është pro perëndimit, pro NATO-s dhe BE-së, dhe ne duhet skeptikëve tu themi hapur se çdo betejë e jona jashtë këtij përcaktimi nuk ka kuptim! E kemi jetike që të bëhemi pjesë e NATO-s dhe BE-së duke dhenë kontribut në integrimin e vendit dhe të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore, që njëkohësisht do të parandalonte edhe asimilimin e shqiptareve”, tha Menduh Thaçi.

Ndërsa LSDM fushatën dje e ka vazhduar në Komunën Aerodrom, prej ku Radmilla Sheqerinska tha se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE nuk do të jetë dhuratë, por ajo shtoi se viteve të kaluar është punuar shumë që Maqedonia të vijë para dyerve të BE-së dhe NATO-s.

“Ne jemi të përgatitur ta përfundojmë një pjesë të punës sonë. Kur do të anëtarësohemi në NATO dhe BE, do të jemi maqedonas, do të tregojmë se flasim gjuhën amtare – gjuhën maqedonase dhe do të jemi krenar për kulturën tonë, traditat dhe identitetin”, tha mes tjerash Sheqerinska.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat