Të akuzuarit në lëndët e reja të PSP-së mund të shpëtojnë, PSP nuk ka mandat për ngritjen e aktakuzave

Maqedonia

Të akuzuarit në lëndët e reja të PSP-së mund të shpëtojnë, PSP nuk ka mandat për ngritjen e aktakuzave

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 16:29
Foto

Neni 22 i Ligjit për Prokurorinë Speciale për momentin i shpëton nga akuza të dyshuarit në gjashtë hetimet e reja që i prezantoi Prokuroria Speciale. Neni në fjalë ndalon që pas 30 qershorit 2017, Katica Janeva të ngrejë aktakuza për hetime që kanë përfunduar.

Ligji për PSP-në, neni 22

Prokurori publik i cili udhëheq me prokurorinë publike, mund të ngrejë aktakuzë apo të urdhërojë ndërprerjen e procedurës hetimore në periudhë jo më të gjatë se 18 muaj nga dita e marrjes së lëndëve dhe materialeve në kompetencën e tij”.

Për ndryshimin e nenit nevojitet shumicë prej dy të tretave apo për vazhdimin e afatit të Speciales duhet të votojë edhe OBRM-PDUKM-ja, variant të cilin opozita e ka hedhur poshtë. Kjo do të thotë se hetimet e reja që i paralajmëroi Janeva si dhe dhjetë rastet e vjetra, s’mund të përfundojnë me aktakuzë. Për këtë ish ministri i financave Zoran Stavrevski, Nikolla Gruevski, Kiril Bozhinovski, Stevço Jakimovski, drejtori i TVM-së Marijan Cvetkovski, sekretari i përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së Igor Janushev, ish drejtori i “Telekomit” Zharko Llukovski si dhe zv.kryeministri aktual i eurointegrimeve Bujar Osmani, për momentin do të shpëtojnë nga aktakuza para Gjykatës Penale.

Ish-prokurori Aleksandar Nakov nuk përjashton mundësinë që hetimet e gatshme të Speciales, Janeva t’i dorëzojë në prokurorinë e rregullt.

“Jam i bindur se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të ekzistojë dhe këtë e tregoi edhe intervista e fundit e prokurorit të rregullt republikan se do të kenë ndonjë zgjidhje që Specialja si e tillë të hyjë në prokurorinë e rregullt dhe të vazhdojë me punë”, tha ish-prokurori Aleksandar Nakov.

Mundësinë që hetimet e përfunduara PSP t’i dorëzojë në prokurorinë e rregullt e konfirmoi ditë më parë në intervistë për Alsat M edhe prokurorja speciale, Katica Janeva.

“Shpresoj që çështja rreth mandatit që të ngritim aktakuza do të jetë zgjidhja më e shpejtë e mundshme dhe Specialja do të mund t’i përfaqësojë lëndët. Nëse kjo nuk ndodh, patjetër duhet t’i japim lëndët, që nuk na gëzon dhe në çdo rast, do t’u ndihmojmë kolegëve tanë nga prokuroria e rregullt, nëse krijohen mundësitë që të punojnë me lëndët tona”, deklaroi Katica Janeva.

Ndryshe, në gjashtë hetimet e reja të Prokurorisë Speciale për herë të parë përmendet emri i ish ministrit të financave, Zoran Stavrevski. PSP dyshon se Stavrevski dhe Janakieski kanë abuzuar mbi 30 milionë euro me kthimin e borxhit të Kliringut me Rusinë. Në hetimet e reja përmendet edhe zv/kryeministri aktual Bujar Osmani. Specialja dyshon se ai me 15 persona tjerë kanë dëmtuar buxhetin për rreth gjysmë milionë euro gjatë riparimit të spitaleve nëpër Maqedoni.

Në listën e të dyshuarve në lëndë të ndryshme u gjetën edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski. Sipas PSP-së, gjashtë hetimet “Dhurata”, “Propaganda”, “Dizajni”, “Harmonia”, “Stacionet bazë” dhe “Pacienti”, tregojnë abuzim të 80 milionë euro para të popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat