A po kërcënohen deputetët që e mbështesin Marrëveshjen me Greqinë?

Maqedonia

A po kërcënohen deputetët që e mbështesin Marrëveshjen me Greqinë?

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 16:16
Kuvendi i Maqedonisë, foto nga arkivi.

Partia maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE kërkon që të hetohen të gjitha dyshimet se deputetë të caktuar nga kjo parti kanë marrë kërcënime, pasi janë shprehur se dëshirojnë të votojnë për ndryshimet kushtetuese, që janë të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit.

“Të gjitha instrumentet janë në duart e pushtetit, edhe ato që kanë të bëjnë me sigurinë e deputetëve, por edhe instrumentet sa i përket verifikimit të informacioneve. Pra, duhet të verifikohen këto informacione dhe jo të dilet vetëm me spekulime se deputetë të caktuar kërcënohen, sepse bëhet fjalë për çështje shumë serioze, pas gjithë atyre shkeljeve që po bën pushteti sa i përket sundimit të drejtësisë".

"Prandaj e përsëris, nevojiten dëshmi serioze për këtë çështje sepse bëhet fjalë për deputetë që i përkasin opozitës”, tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski, duke shtuar se është e pakuptimtë që qarqe të caktuara akuzojnë se deputetët mbahen peng nga kryesia e partisë.

Stoillkoski tha se drejtësia qëndron e verbër ndaj spekulimeve “se bëhet tregti me drejtësinë”.

Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk është lajmëruar asnjë deputet që është kërcënuar nga kjo parti.

Këto qëndrime vijnë pasi ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë Oliver Spasovski, të mërkurën ka paralajmëruar fillimin e hetimeve lidhur me pretendimet për kërcënimin e deputetëve të partisë maqedonase në opozitë, të cilët duan të votojnë për ndryshimet kushtetuese.

Ministri Spasovski nuk ka dhënë më shumë detaje se nga kush dhe cilët deputetë janë kërcënuar, ndonëse ka theksuar se kërcënimet, deputetët por edhe udhëheqës të lartë të kësaj partie, kryesisht i marrin përmes rrjeteve sociale.

Spasovski njëherësh u ka bërë thirrje deputetëve që t’i denoncojnë kërcënimet e mundshme.

“Këto kërcënime deputetët i marrin përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve publike. Dua të bëj një porosi publike, askush në Maqedoni nuk ka të drejtë t’i kërcënohet asnjë qytetari, e lerë më deputetëve. Ministria e Punëve të Brendshme do t’i ndërmarrë të gjitha masat që kanë të bëjnë me kërcënimin dhe pengimin e punës së deputetëve, nëse ato ekzistojnë”.

“Secili prej deputetëve nëse ka kërcënim duhet ta lajmërojë që të mund ta procedojmë, sepse ky proces është shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e qytetarëve dhe shtetit dhe askush nuk guxon të luajë me fatin e Maqedonisë”, ka thënë për gazetarët ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Nga ana tjetër, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë thotë se organet e drejtësisë duhet të reagojnë menjëherë, qoftë edhe për dyshimin më të vogël se deputetët mund të jenë të kërcënuar për shkak të bindjes së tyre pro Marrëveshjes me Greqinë.

Në këtë formë, shton Musliu, zhbllokohet i gjithë procesi që ka të bëjë me jetësimin e Marrëveshjes për emrin.

“Nëse institucionet shtetërore reagojnë me kohë për të garantuar sigurinë e atyre deputetëve të cilët duan t’i mbështesin ndryshimet kushtetuese, me këtë edhe të zhbllokohet dhe i gjithë procesi i Marrëveshjes së Prespës (marrëveshja për emrin), atëherë këta deputetë do të kenë mundësinë që të shprehin vullnetin e tyre përmes votës në parlament”.

“Nëse institucionet nuk reagojnë ndaj atyre kërcënimeve, atëherë faji nuk duhet kërkuar diku tjetër. Por, me vetë faktin se ka deputetë që e shohin si shumë pozitive shansin që Maqedonia të zhbllokojë procesin e integrimeve euroatlantike është për t’u përshëndetur dhe ia vlen që institucionet të veprojnë që mos të ndihen të rrezikuar këta deputetë”, thotë Musliu.

Gjatë ditës, Komisioni parlamentar për çështje kushtetuese zhvillon debat për propozimin e Qeverisë së Maqedonisë për ndryshimet e Kushtetutës së shtetit.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve.

Së fundmi, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se gjatë bisedave që ka pas me deputetë të opozitës, ka fituar përshtypjen se ata do të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, por këtë për momentin ata nuk do ta thonë publikisht për shkak të kritikave që mund të kenë apo edhe pasojave tjera të mundshme./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat