Pozita dhe opozita maqedonase nuk gjetën gjuhë të përbashkët për Marrëveshjen e Prespës

Maqedonia

Pozita dhe opozita maqedonase nuk gjetën gjuhë të përbashkët për Marrëveshjen e Prespës

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 18:15
Kuvendi i Maqedonisë

Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë sot e filluan diskutimin, ku në rend dite janë ndryshimet kushtetuese lidhur me Marrëveshjen me Greqinë, për çështjen e emrit. Debatin e ka nisur kryeministri Zoran Zaev si propozues i ndryshimit të neneve të Kushtetutës, i pasuar nga deputetët e Kuvendit.

Debati u karakterizua nga një ton i qetë, por me kundërthënie tashmë të njohura pozitë-opozitë, rreth Marrëveshjes në fjalë.

Deputetët e LSDM-së e mbrojtën nënshkrimin e Marrëveshjes dhe u bënë thirrje kolegëve të tyre të opozitës maqedonase që ta mbështetin marrëveshjen dhe të votohen ndryshimet e nevojshme kushtetuese.

Sipas tyre, kjo është arritja më e madhe në këto thuajse 30 vite të çështjes së emrit, dhe se marrëveshja është zgjidhja më e mirë që vendit i hap perspektivën euro-atlantike. Ata e mbrojnë këtë ujdi, duke thënë se kjo nuk e cenon as identitetin e as gjuhën maqedonase.

Ndryshe mendojnë deputetët e OBRM-PDUKM-së, të cilët përmes Vllatko Gjorçevit dhe Ilija Dimovskit, por edhe tjerëve, me këmbëngulje hedhin posht gjithçka që thonë kolegët e tyre të LSDM-së. Sipas tyre, marrëveshja fshin identitetin dhe gjuhën maqedonase, dhe se kjo është diçka e papranueshme.

Deputetët e OBRM-PDUKM-së vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin e tyre kundër marrëveshjes, por pro BE-së dhe NATO-së.

Ndërkaq, edhe Xhevat Ademi nga BDI-ja doli në mbrojtje të marrëveshjes, duke shprehur të njëjtat qëndrime si partneri i koalicionit, LSDM-ja.

Seanca u mbyll për të vazhduar nesër, në ora 11:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat