Maqedonia do të kontribuojë me 0.0721 për qind në buxhetin e NATO-s, nëse anëtarësohet

Maqedonia

Maqedonia do të kontribuojë me 0.0721 për qind në buxhetin e NATO-s, nëse anëtarësohet

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 16:24
Ilustrim

Pas raundit të parë të të negociatave inkuadruese për anëtarësim në NATO, koordinatori kombëtar i Maqedonisë për NATO Stevo Pendarovski , deklaroi për MIA-n se është llogaritur shkalla e kontributit të Maqedonisë në buxhetin për NATO-n, pasi që ajo të bëhet anëtare e Aleancës.

“Formula jonë është 0.0721 për qind nga buxheti i NATO-s. Do të më pyesni sa është ajo. Duhet fillimisht të shohim sa është buxheti i NATO-s, për shkak se varet nga kontributet e të 29 vendeve anëtare. Megjithatë, kontributi ynë nuk do të duhet të ishte më i madh se 600 mijë – 700 mijë euro. Duke shikuar sipas shembujve të fundit krahasues të Malit të Zi dhe Kroacisë, të cilat këtu janë plus–minus të ngjashme me ne për nga madhësia dhe me ekonomitë”, deklaroi Pendarovski.

Stevo Pendarovski, koordinator i Maqedonisë për NATO

Shuma e saktë ende nuk dihet, por nuk pritet të jetë më ndryshe nga projeksionet mes 600 dhe 700 mijë euro dhe do të dihet në fund të vitit fiskal. Formula bazohet mbi kalkulimet e Bankës Botërore të ndërlidhura me madhësinë e shteteve dhe BPV-së së saj, sqaroi Pendarovski.

Sa i përket buxhetit të Maqedonisë për mbrojtje, Maqedonia ka ndërmarrë detyrim që deri në vitin 2024 ta rrisë shkallën buxhetore kushtuar mbrojtjes në dy për qind. Momentalisht ajo arrin rreth një për qind.

Për kritikat në opinion se Maqedonia nuk ka nevojë që të ndajë kaq mjete për mbrojtje, Pendarovski u përgjigj se edhe ai do të donte që "të mos ndajmë para fare për mbrojtje apo siguri, por megjithatë kjo është e pamundur”.

Këto dy ditë Maqedonia së bashku me ekipet e NATO-s zhvillon bisedime për pesë kapituj të kushteve për hyrje në Aleancë. Këto bisedime kanë të bëjnë si me kriteret politike, ashtu dhe me ato ushtarake dhe financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat