Maqedoni, paqartësia politike ndikon në uljen e rritjes ekonomike

Maqedonia

Maqedoni, paqartësia politike ndikon në uljen e rritjes ekonomike

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 11:46
Foto ilustruse

Afaristët në Maqedoni thonë se proceset që ndërlidhen me rrumbullaksimin e Marrëveshjes me Greqinë duhet të realizohen me një dinamikë sa më intensive, duke përshëndetur votimin e fazës së parë për ndryshimet kushtetuese si pjesë e marrëveshjes së Prespës, në të kundërtën druajnë se pasiguria politike do të vazhdojë të ulë projeksionet e organizatave ndërkombëtare sa i përket zhvillimit politik.

Ndërkohë që Qeveria e Maqedonisë mbetet optimiste se deri në fund të vitit, zhvillimi ekonomik megjithatë do të arrijë në 3.2 për qind në bazë të parashikimeve, Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë këtij viti dy herë me radhë ka zvogëluar parashikimet për rritjen ekonomike të Maqedonisë.

Së fundmi, sipas parashikimeve të FMN-së, rritja ekonomike në Maqedoni do të arrijë në vetëm 1.6%.

Menderes Kuçi, afarist,  thotë se “paqartësitë politike” pas referendumit dhe i tërë fokusimi i qeverisë për t’i zgjidhur ato, e ka lënë në hije zhvillimin e ekonomisë duke e çuar pothuajse kah paralizimi.

Kuçi thotë se zhvillimet pas referendumit dhe paqartësitë në këtë drejtim pas pritjeve që të zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike e bëjnë shumë të ndjeshëm zhvillimin ekonomik, përkatësisht në këtë situatë, thotë ai, askush nuk merr guximin të investojë, as kompanitë e huaja por as ato të vendit.

“Në këso situate, klimë politike ku qeveria është fokusuar tërësisht në çështjet politike, mund të ndodh që projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtarë mund të mos realizohen për shkak të ngecjeve sa u përket investimeve kapitale”.

“Ne si afaristë konsiderojmë se më reale është parashikimi që rritja ekonomike të jetë diçka mbi zero, megjithëse do të ishim shumë të kënaqur nëse realizohen parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtarë që rritja ekonomike të arrijë shkallën 1.6 për qind”, vlerëson Menderes Kuçi, afarist.

Nga ana tjetër, Alaudin Zeqiri, ligjërues në fakultetin ekonomik në Universitetin e Tetovës,  thotë se “mungesa e stabilitetit politik ka efekte negative që ndërlidhen drejtëpërsëdrejti në rritjen ekonomike të shtetit.

Zeqiri sqaron masat e ndërmarra nga qeveria për mëkëmbjen e ekonomisë nuk prodhojë efekte pozitive përderisa ekonomia mbetet nën ethet e paqëndrueshmërisë politike si rrjedhojë e paralajamërimeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare si mundësi për të zgjidhur ngërçin politik.

“Ne patëm një cikël të votimit për çështjen e referendumit, që situatën pas e ka vënë në “Stand by””.

“Informacionet spekuluese për realizmin eventual të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjithsesi se kanë efekt negativ kundrejt rritjes ekonomike, pra projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar tani ulen në 1.6 për qind. Zhvillimet politike do të diktojnë situatën ekonomike se a do të vazhdojë ulja e projeksioneve edhe më tej sa i përket zhvillimit ekonomik”, thotë Zeqiri.

Maqedonia vitin e kaluar, përkatësisht 2017 e mbylli me një rritje ekonomike vetëm prej 0.1 për qind.

Afaristët thonë se më shpresëdhënëse për rritjen ekonomike mund të jetë pjesa e dytë e 2019-ës pasi vendi të arrijë të anëtarësohet në NATO.

Edhe kundrejt kësaj, kreu i qeverisë Zoran Zaev ka theksuar se është optimist sa i përket realizmit të rritjes së projektuar nga Qeveria e Maqedonisë prej mbi 3.2 për qind.

Por, sipas parashikimeve të FMN-së, Maqedonia radhitet e fundit në listën e vendeve të rajonit sa i përket rritjes ekonomike./REL/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat