Carovska: Shtesa për fëmijën e tretë nuk shfuqizohet, por transformohet

Maqedonia

Carovska: Shtesa për fëmijën e tretë nuk shfuqizohet, por transformohet

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 16:39
Milla Carovska

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska, sot tha se masa për fëmijën e tretë nuk do të shfuqizohet, por do të transformohet.

Ajo tha se kjo bëhet në mënyrë që të mos ketë diskriminim mes fëmijëve.

“Masa për fëmijën e tretë nuk shfuqizohet, por transformohet. Për fëmijën e parë do të ketë ndihmë vetëm një herë prej 5 mijë denarëve, për fëmijën e dytë ndihmë prej 20 mijë denarëve dhe për fëmijën e tretë ndihmë prej 60 mijë denarëve”, tha Carovska.

Ajo shtoi se personat që janë me rrezik sociale, do të kenë të drejtë për shtesë arsimore, si dhe ata që kanë paga minimale.

“Është shumë e rëndësishme se shtesa për fëmijën e tretë i ka kushtuar shtetit 2 miliardë e 600 milionë denarë, ndërsa rezultatet nuk janë arritur. Çdo masë që vendoset duhet të shikohet se cili është efekti”, tha Carovska.

Sipas saj, paratë për këtë masë të qeverisë janë harxhuar ndërsa nataliteti ka shënuar rënie.

“Në vitin 2001 nataliteti në Maqedoni ka qenë 13.3, ndërsa në vitin 2016 ka qenë 11.1, që do të thotë se ky investim nuk është efikas. Ne kemi investuar edhe tek familjet që nuk kanë qenë në rrezik social, ndërsa pritshmëritë nuk janë arritur”, tha Carovska.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat